Baraliu: Nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa funksionalizimin e KQZ-së

E publikuar: 15/03/2019 10:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësi i proceseve zgjedhore në vend, Mazllum Baraliu, ka bërë me dije se nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa funksionalizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ai i ka ftuar të gjitha subjektet politike që të reflektojnë për këtë çështje.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Baraliu ka deklaruar se funksionalizimi i këtij institucioni është interes shtetëror.

“Nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa funksionalizim të KQZ-së. Ne tani kemi një paralizë institucionale jo vetëm nga aspekti i zhvillimit të zgjedhjeve, që është kryesorja, sepse KQZ-ja është burim i demokracisë dhe burim i institucioneve të vendit. Kështu që, pa të dhe pa procedurat që zbaton ky institucion për zgjedhjet nuk mund të kemi zgjedhje”, ka thënë Baraliu.

Ai nuk ka folur se si duhet të jetë përfaqësimi i partive në këtë institucion, por ka thënë se përfaqësimi duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk dua të jap ndonjë recetë se si të veprohet, sepse nuk më takon mua, por nëse subjektet politike kanë pretendime reale, atëherë ato do të duhej ta interpretojnë mirë vendimin e kushtetueses, sepse ai vendim është zgjatim i Kushtetutës dhe nenit përkatës. Prandaj, do të duhej që në mënyrë racionale dhe me mirëkuptim racional juridik ta analizojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta pranojnë zgjidhjen e cila është e domosdoshme për t’u aplikuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, tani është koha që presidenti i vendit t’i ftojë partitë politike në një tryezë për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj çështje.