Baraliu: Ideja e Thaçit për referendum, skeç politik!

E publikuar: 01/09/2017 10:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi po planifikon që marrëveshjen përfundimtare të pajtimit të Kosovës me Serbinë ta kalojë përmes deklarimit të qytetarëve, pra me referendum.

Ky veprim i tij duket të jetë i vonuar dhe pa kurrfarë nevoje. Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka thënë për “Indeksonline” se marrëveshja përfundimtare e Kosovës me Serbinë si dy shtete të pavarura, duhet të rezultojë më njohje reciproke.

Baraliu idenë për referendum e ka quajtur “skeç politik”.

“Dihet që Serbia dhe Kosova nëse duan të kenë fqinjësi të mirë si dy shtete të pavarura dhe demokratike, atëherë do të duhej që në fund të dialogut, të përfundonte në njohje reciproke. Ajo që po do Thaçi ta bëjë është ide e vonuar sepse ka partikularizim qasjesh të klasës politike në relacion me dialogun. Disa subjekte politike dhe natyrisht edhe bota akademike, segmentet e saja dhe të shoqërisë civile që nga fillimi kanë qenë me të drejtë kundër fillimit të një dialogu me Serbinë, pa e njohur Serbia sovranitetin e Kosovës, pa kërkuar falje dhe pa e njohur Kosovën si subjekt të barabartë. Kjo është një skeç politk”, ka thënë ai.

Baraliu ka komentuar paralajmërimin e Thaçit për krijimin e një Ekipi të Unitetit, ku do të jenë prezentë edhe përfaqësues të partive politike për të zhvilluar dialogun në Bruksel.

Sipas analistit, ky hap do të duhej të merrej para se të fillonte dialogu.

“Është dashur që nga fillimi të zhvillohet një platformë, që në 2011-ën është dashur të ketë një përputhje mendimesh, plan veprimi dhe një strategji e pranuar nga të gjithë në mënyrë që pastaj të shkohej atje, përafërsisht sikur ishte bërë në Vjenë. Atëherë ishte arritur një konsensus politik pozitë-opozitë dhe shoqëri civile, kjo është dashur të bëhej në fillim”, ka thënë tutje ai.

Baraliu ka thënë se dialogu do të duhej të ishte teknik, por që ai është shndrruar në dialog puro politik./Indeksonline/