Banorët e “Velanisë” po provokohen e sulmohen nga një fqinj i tyre

E publikuar: 03/07/2018 20:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Banorët e lagjes “Velania” të kryeqytetit janë në hall të madh me një fqinj të tyre, i cili thuajse çdo ditë i ngacmon dhe i kërcënon ata.
Banorët thonë se nuk duan probleme me të, por kritikojnë autoritetet e rendit që nuk po ndërmarrin asgjë lidhur me problemin e lagjes së tyre. Javën e kaluar 22-vjeçari, A. Zejnullahu kishte fyer njërin nga banorët, i cili nuk dëshiron të publikojë identitetin e tij, mirëpo thotë se policia nuk po ndërmerr diçka për sigurinë e tyre.

Ata thonë se fakti që janë familjarë, nuk duan të merren me të, pasi ai me vete bart armë të ndryshme.

“Kohavisioni” nuk ka mundur të kontaktojë me 22-vjeçarin A. Zejnullahu, por babai i tij i ka thënë televizionit se nuk mund të bëjë asgjë lidhur me të birin, pasi ai nuk i merr parasysh fjalët e tij. Policia, ndërkohë, bën të ditur se janë 12 raste të raportuara për këtë person, përfshirë lëndime trupore e kanosje. Dhjetë prej këtyre rasteve janë proceduar në Prokurorinë përkatëse, ndërsa dy të tjera janë duke u trajtuar nga policia.

Por, se pse ky person nuk është ndalur nga autoritetet e drejtësisë, pavarësisht dhjetëra denoncimeve ndaj tij, është çështje që i takon Prokurorisë.

Policia nuk ka treguar se kush është prokurori që gjithnjë e liron me procedurë të rregullt këtë person, të cilin fqinjët e denoncojnë si kërcënues.