Banka e Shqipërisë lançon faqen e re të internetit

E publikuar: 01/03/2018 18:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndryshimet dinamike që imponon interneti, dixhitalizmi dhe teknologjia kanë vënë para institucioneve sfidën e përshtatjes dhe përmirësimit të komunikimit me përdoruesit. Në kuadër të kësaj dinamike edhe Banka e Shqipërisë ndryshoi së fundmi faqen e saj të internetit duke argumentuar se kjo vjen në përshtatje të sjelljes në ndryshim të përdoruesve dixhitalë.

Sipas BSH faqja e re garanton më shumë lehtësi në përdorim por edhe informacion të ri duke ruajtur arkivën e faqes së vjetër.

Qëllimi i rikonceptimit të faqes sipas BSH eshte afrimi me publikun përmes:

  • lehtësimit të përdorimit: faqja është konceptuar e tillë që nënrubrikat mund të aksesohen me një klikim, nëpërmjet shfaqjes së plotë të menusë kryesore.
  • përmirësimit vizual: faqja ofron jo vetëm një përmirësim të përgjithshëm vizual, por edhe pasurim të rubrikave të ndryshme me foto cilësore të monedhave, kartëmonedhave, si dhe elemente të tjera të grafikës. Përmirësime të cilat synojnë ta bëjë faqen sa më tërheqëse për vizitorin.
  • integrimit të funksionaliteteve të reja: kalendar i integruar, rezervim i vizitës në muze, infografikë, shkarkim i kursit të këmbimit në formate të ndryshme, lehtësi në aksesimin e serive kohore etj.
  • përshtatjes për çdo lloj pajisje: versioni i ri i faqes është ndërtuar që t’i përgjigjet formatit të çdo lloj pajisjeje: smartphone, tablet dhe kompjuter.
  • ofrimit të ndihmës ndaj vizitorit: në faqen kryesore janë shtuar pyetjet më të shpeshta, për të ndihmuar vizitorin lidhur me çështjet që ngrihen më shpesh nga publiku.
  • integrimit të rrjeteve sociale – për të shtuar komunikimin dixhital, në faqen kryesore janë integruar rrjetet sociale në të cilat Banka e Shqipërisë ka llogari dhe ku pasqyron vazhdimisht aktivitetet e saj.

Me publikimin e faqes së re, Banka e Shqipërisë përmbush një nga objektivat kryesorë të strategjisë afatmesme të zhvillimit për periudhën 2018-2020, që synon rritjen e transparencës mbi veprimtarinë e saj përmes një komunikimi të hapur me publikun. /Monitor