Bandat shqiptare, “padrone” të kokainës në Londër

E publikuar: 29/06/2017 12:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia britanike e Luftës kundër krimit, NCA, në raportin e saj të fundit shpreh shqetësimin se grupet kriminale shqiptare të dhunshme kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme kontrollin e tyre në tregun britanik të trafikimit të drogës dhe veçanërisht të kokainës. Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm të kësaj agjencie ligjzbatuese, e njohur si FBI-ja britanike, Mathew Horne, grupet shqiptare të trafikut të kokainës përbëjnë një “kërcënim serioz”.

Sipas tij, këto grupe karakterizohen nga gatishmëria për të kryer akte të rënda dhune në këtë biznes. “Kur flasim për grupet kriminale shqiptare, ato vërtetë janë një grup i vogël në numër, por me një ndikim dhe impakt të madh. Kemi vënë re shfaqjen e dhunës kur vjen puna tek ushtrimi i kontrollit në tregtinë e drogës nga këto grupe.

Ndaj ne jemi duke reaguar në mënyrë specifike me partnerët tanë për t’i eliminuar ato. Ka disa procese gjyqesore ndaj tyre momentalisht në gjykatat britanike dhe kemi sekuestruar sasi të mëdha parash nga këto grupe, por është rritja e ndjeshme e përdorimit të dhunës krahas tregtisë së drogës që përbën shqetësim më të madh”, ka deklaruar Horne.

Raporti i Agjencisë britnaike thekson se përfitimet nga trafiku i drogës mbeten të mëdha, pavarësisht nga përpjekjet ndërkombëtare. Londra konisderohet si “qendra kryesore” e trafikut të kokainës nga shqiptarët, por ata janë shtrirë edhe në pjesë të tjera të Britanisë. Sipas raportit vjetor të NCA, “grupet kriminale serbe dhe turke dominojne aspektin logjistik të transportit detar të kokainës në sasira të mëdha, ndërsa grupet turke dhe pakistanze dominojnë tregun e heroinës në Britani”.

Raporti flet edhe për korrupsionin në radhët e stafit të porteve dhe aeroporteve britanike, që ua lehtësojnë trafikantëve importin e drogërave. Nuk ka muaj që detektivët e NCA-së të mos asgjësojnë ndonjë grup kiminal shqiptar të kokainës, të cilët pavarësisht luftës ndaj tyre, sërish vazhdojnë të trafikojnë gjithnjë e më shumë kokainë në tregun britanik.