“Ballkani, dhimbja e kokës për Donald Trump”

E publikuar: 28/02/2017 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Ballkani, dhimbja e kokës për Donald Trump” Një poster i madh është vendosur në një nga rrugët e Mitrovicës së Veriut, ku shkruhet “Serbët janë me ty”, e mbi këtë shkrim, fotoja e Donald Trumpit, që vëzhgon kalimtarët. Kështu e nis britanikja “The Guardian”, një shkrim të gjatë të saj për Ballkanin, që sipas saj rrezikon të shndërrohet në zonën më problematike dhe që do t’i japë jo pak dhimbje koke presidentit të ri amerikan.

Serbët u gëzuan jo pak nga fitorja e Trumpit, kjo edhe se ai mundi në garë bashkëshorten e armikut të tyre të viteve ‘90, Bill Klintonit, që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe në Bosnje dhe Kosovë.

“Edhe një herë tjetër, tani Ballkani rrezikon krizën. Kufijtë janë të papërcaktuar, tensionet etnike po ndizen dhe shkëmbimet e tokave po promovohen si zgjidhja finale për parandalimin e rënies së përsëritur në honin e dhunës. Harrojeni Kinën dhe Lindjen e Mesme, ish-Jugosllavia po shfaqet si e para dhimbje koke reale për politikën e jashtme të Trumpit”, shkruan “The Guardian”.

Gazeta sjell si shembuj trenin serb të mbuluar me sloganet “Kosova është Serbi” që tentoi të hynte në Mitrovicë muajin e shkuar. Edhe pse treni u ndal jashtë Kosovës, Kroacia dhe Shqipëria, anëtare të NATO-s i kërkuan aleancës të rishohë planin e saj paqeruajtës në Kosovë. Ndërsa presidenti serb, Nikoliç, tha se bashkë me bijtë e tij do të merrnin armët nëse serbët në Kosovë do të kërcënoheshin.

Më pas, “The Guardian” ndalet tek Bosnja. Ndarja në dy pjesë federale një serbe dhe një boshnjako-kroate, pas konfliktit të viteve ‘90, asnjëherë nuk ia ka dalë mbanë të shërojë plagët.

Më tej, është Mali i Zi, subjekt i një konvulsioni të jashtëzakonshëm politik në fund të vitit të shkuar, ku qeveria fajëson institucionet ruse se janë përpjekur të organizojnë një grusht shteti. E në përfundim, Maqedonia, e cila po stërmundohet të krijojë një qeveri të re pas një krize politike në të cilën shqiptarët etnikë janë bërë ndjeshëm të paduruar.

Vendi doli në plan të parë kur një kongresmen, i afërt me Trumpin sugjeroi se duhej të shpërbëhej dhe të ndahej mes vendeve fqinje.

“Maqedonia nuk është shtet. Më vjen keq, nuk është shtet”, tha Dana Rohrabacher, që udhëheq Komitetin kongresial për Punë të Jashtme. E si përherë, rajoni vuan jo vetëm nga ndasitë e tij të brendshme, por edhe nga faktorët e jashtëm. BE është shprehur e hapur për zgjerimin deri në Ballkanin Perëndimor.

Qëndrimi i administratës Trump nuk është kristalizuar ende për Ballkanin, ndërkohë që Rusia përpiqet të instalojë zonën e saj të ndikimit në rajon.