Ballafaqimi në Kushtetuese, sfida e parë e partive që po e synojnë ekzekutivin

E publikuar: 01/05/2020 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë publik dje dekretin përmes së cilit e mandaton Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër të ri.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit. Kushtetuesja pritet të dalë me vendim rreth kushtetutshmërisë së dekretit, apo edhe fillimisht rreth mundësisë së pezullimit të votimit të qeverisë së re,transmeton Lajmi.net.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se do të ketë paqartësi rreth kësaj çështje deri në një vendim meritor të Gjykatës Kushtetuese.

Ai thotë se sfida e parë e partive që po synojnë të udhëheqin ekzekutivin, edhe nëse i sigurojnë votat për formim të qeverisë, është ballafaqimi në Gjykatën Kushtetuese.

“Në këtë situatë në të cilën ndodhemi, vendit i duhet një qartësi, duhet të qartësohet çështja e mandatarit, pastaj të ketë një qeveri me kapacitet të plotë për çështjen e pandemisë. Konsideroj që sfida e parë, në rast se arrihen të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e qeverisë së re, do të jetë ballafaqimi në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ai.

Ai sheh edhe një tensionim në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive që po synojnë të formojnë qeverinë e re.

“Pres që do të ketë edhe me tutje paqartësi në skenën politike sa i përket çështjes në të cilën ndodhemi dhe vetëm pas ofrimit të një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, qoftë fillimisht me masë të përkohshme apo pastaj me një vendim meritor, pres që do të kemi qartësi, mbase edhe një lloj tensionimi në mes të dy palëve, meqë tashmë kemi parë, sidomos në rrjetet sociale ekziston një lloj lufte virtuale në mes të dy toboreve. Në njërën anë Lëvizja Vetëvendosje e cila në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje dhe në anën tjetër subjektet e tjera politike të cilat sigurojnë se kanë numri e nevojshme të votave dhe rrjedhimisht mund të votojnë një qeveri të re”, thotë ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje pasdite në një konferencë për media, bëri publik hapin e fundit i cili dërgon drejtë votimit të qeverisë së re.

“Sapo kam dekretuar zotin Avdullah Hotin si të nomiuar për kryeministër të ri të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

E pa humbur kohë, Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi dekretin e presidentit në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi masë të përkohshme rreth mbajtjes së seancës.

Nga kjo parti, u tha se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese.

“Me këtë dekret vlerësojmë që presidenti ka vazhduar të shkelë Kushtetutën, dhe si të tillë e kemi sjellur këtu në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim”, tha Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa partitë politike që po synojnë të formojnë qeverinë, LDK, AAK, Nisma e pakicat, kanë dorëzuar dje nënshkrimet për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për votim të qeverisë, të cilën kanë kërkuar ta mbajnë të shtunën.

Krejt këto po ndodhin në kohën kur vendi ende po përballet me pandeminë Covid-19 dhe kur ende janë në fuqi masat e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë për kufizim të lëvizjes dhe mbajtje të distancës sociale.

Megjithatë, praktika e deritanishme ka treguar se në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të shëndetësisë Publike në Kosovë, seancat e Kuvendit mund të mbahen nëse garantohet distanca në mes të deputetëve dhe nëse sigurohet higjiena.