Bale: Goli im në finalen e LK-së duhet të fitonte çmimin Puskas

E publikuar: 04/12/2018 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sulmuesi i Real Madridit, beson se goli i tij në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit duhet të fitonte çmimin FIFA Puskas për golin e vitit 2018.

Uellsiani mendon se goli i tij është dukshëm më i miri se i Mohamed Salah, të cilin egjiptiani e kishte shënuar në dhjetorin e 2017 ndaj Evertonit.

“Të jem i sinqertë isha i befasuar, por çfarë të thuash”, ka thënë Bale për FourFourTwo, pasi fitoi golin e vitit nga revista me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Gareth Bale në momentin e shënimit të golit në finale të LK-së ndaj Liverpoolit (Photo by David Ramos/Getty Images/Guliver)

“E bën çmimin të duket i vogël, edhe pse natyrisht që goli i Salah ishte fantastik”.

“I imi ishte instiktiv, u vendosa mirë me trup dhe arrita të kapja topin në mënyrë të përsosur. Kur e arrin topin në mënyrë të përsosur, ju e dini se është në portë. Vetëm duhet të shpresoni që portieri mos të bëjë një pritje të pabesueshme”.

“Pra, posa e godita topin, e dija se kisha shanse për të shënuar. Nëse e shikoni, mund ta shihni se e kam kthyer kokën menjëherë. E dija ku po shkonte topi”.

“Goli im më i mirë? Mendoj se ju duhet ta thoni, nuk ka pasur shumë të tillë”.

“Më pëlqen ai në Kupën e Mbretit ndaj Barcelonës, por ky ishte i një niveli të lartë, finalja e Ligës së Kampionëve, ndeshja më e madhe në futboll për klube. Teknikisht ishte fituese, më duhet të them se ishte më e mira”, ka shtuar Bale. /Telegrafi/