Bajrush Morina: Kërkesë BE-së, hiqni vizat për në Hagë për politikanët e Kosovës!

E publikuar: 09/09/2016 17:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në qoftëse shtetasit e Republikës së Kosovës do të jenë peng i lëvizjes së lirë për shkak të politikanëve të Kosovës, atëherë propozoj që këtyre të fundit t’u ndalohet “lëvizja e lirë” në Kosovë ndërkaq t’u “hiqen vizat” për në Hagë!

Bajrush Morina

Këtu e 8 vjet më parë kam udhëtuar për në Hagë, pa dëshirë dhe pa aplikuar për vizë në Ambasadën holandeze. Më “kanë marrë” prej shtëpie me përcjellje “të blinduar”, ma kanë paguar biletën njëdrejtimëshe, më kanë ulur në fund të aeroplanit dhe kam përfunduar në Qelinë nr.26 të Tribunalit të Hagës.

Ky “udhëtim i lirë” pa vizë, imi ka ndodhur më 28 prill të vitit 2008.

Nejse, e shkuar dhe e paharruar!

Këto ditë po planifikoj të shkoj përsëri në Hagë, por kësaj radhe i pajisur me vizë Schengen, me biletë aeroplani kthyese dhe me kohë të caktuar (Mund të rri më shumë se sa një ditë, nëse më bën muhabet një mik imi atje, ish-oficier shqiptar gjatë kohës së shërbimit tim ushtarak më vitin 1981 dhe një ish-komandant i UÇK-së i Zonës së Dukagjinit).

Gjatë vizitës në Hagë do të bëjë një “selfie” para Qendrës së Paraburgimit në Scheweningen dhe do t’ua dërgoj një “porosi” gjithë atyre “banorëve të ardhshëm” të këtij “hoteli pa yje” se në murin e Qelisë nr.26 i kam shkruar disa vargje, disa rreshta, disa porosi, ndaj nëse drejtoria e kësaj Qendre nuk i ka pastruar muret, ju mund t’i lexoni ato “përjetime” të mia “të vizatuara” në muret e Qelisë nr.26.

Kjo porosi vlen për banorët ardhshëm të mundshëm të Qendrës së Paraburgimit në Scheweningen, të cilët do të udhëtojnë me bileta njëdrejtimëshe.

*****

Por, përderisa Gjykata Speciale t’i bëjë “letrat gati” për këta udhëtarë të mundshëm për në Hagë dhe përderisa populli i Kosovës vazhdon të mbetet i vetmi me të drejta të ndaluara për lëvizje të lirë për në Evropë, atëherë kam këtë kërkesë në formë rezolute për BE-në, për znj. Tanja Fajon dhe për Këshillin e Ministrave të BE-së.

Të gjithë politikanëve të Kosovës t’u hiqen vizat për udhëtim njëdrejtimësh për në Hagë dhe t’u ndalohet “lëvizja e lirë” në Republikën e Kosovës!

Arsyetimi: Kjo kastë politike, pozitë e opozitë janë fajtorë kryesorë që populli i Kosovës edhe sot, 16 vjet pas përfundimit të luftës, më shumë se 8 vjet pas shpalljes së pavarësisë, është i vetmi popull që nuk gëzon lirinë e lëvizjes së lirë për në vendet e BE-së.

Besoj dhe shpresoj se një kërkesë dhe një rezolutë e tillë do të përkrahet dhe do të miratohet nga 90% e popullit të Kosovës.