Bajrami: Seminari për gjuhën do të kontribuojë në ndërkombëtarizimin e studimeve albanologjike

E publikuar: 14/08/2017 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami mori pjesë në hapjen e punimeve të Seminarit të 36 Ndërkombëtar, për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, ndërsa tha se ky seminar është shndërruar në një institucion të veçantë në Republikën e Kosovës.

Bajrami u shpreh se ky seminar do të kontribuojë në internacionalizimin e studimeve albanologe.

“Padyshim që ky seminar do të kontribuojë në internacionalizimin e studimeve albanologe, është edhe  një mundësi e madhe e mbështetjes shtetërore për hapjen e studimeve të albanologjisë në të gjitha shtetet dhe universitetet prestigjioze gjë që është edhe një obligim kombëtar i Kosovës dhe Shqipërisë, për të mbështetur studimet e albanologjisë, si një  fushë shumë e rëndësishme me interes të veçantë kombëtar”,  tha ministri Bajrami.

“Kosova është vend i të rinjve i orientuar tërësisht kah Bashkimi Evropian, vlerat perëndimore, që po kalon një tranzicion kritik, por  një vend ku shkenca dhe hulumtimi duhet të jetë një rrugë drejt përparimit shoqëror”, tha ai.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,  akademik Hivzi Islami,  i cili gjithashtu foli për zhvillimin dhe ecejaket e seminarit në kohë, si një ngjarje e rëndësisë së lartë për gjuhën letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare.

Ndryshe, në këtë seminar, punonjës shkencor, studiues të gjuhës dhe letërsisë do të prezantojnë kumtesa me tematika të ndryshme në Sesionin e Gjuhësisë, Sesionin e Kulturologjisë dhe Sesionin e Letërsisë.