Bajrami: Këto dy vjet është qeverisur në bazë të Kanunit e odave – vi të kuqe PDK-së për koalicion

E publikuar: 14/08/2019 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se qeveria Haradinaj ka keqpërdorur taksat e qytetarëve në baza ditore, kanë shkelur ligjet, por mbi të gjitha, tha se gjatë këtij mandati “është qeverisur në bazë të Kanunit”.

“Kemi pasur kapje ditore të shtetit, keqpërdorim ditor të taksave të qytetarëve, një qeveri me 22-23 ministri. Raporti i auditorit për vitin 2018 është tmerrues se çfarë është bërë me taksat e qytetarëve të Kosovës. Është e paimagjinueshme deri në çfarë shkalle është shkelur Kushtetuta, secili ligj, dhe thjesht është qeverisur në bazë të Kanunit, në bazë të odave, në bazë të asaj se unë mund të bëjë diçka”, tha Bajrami në Interaktiv të KTV-së.

Bajrami, që njëherësh është edhe pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, foli edhe për programin qeverisës së LDK-së, duke përmendur si një prej pikave zvogëlimin e kabinetit qeveritar.

“Gjithë kohën kur është folur për riformatim të Qeverisë Mustafa, ideja ka qenë të zvogëlohet numri i ministrive. Duhet të bashkohen ministri që mbulojnë një fushë. Haradinaj, një ditë para se të jepte dorëheqje, ka emëruar 2 zv/ministra. Në njërën anë e rriste kabinetin, e në anën tjetër e bënte një ligj që ia kufizon kabinetin një qeverie të ardhshme. Besoj se duhet të bëhet ligji për numrin e ministrive. Por, nëse ne fitojmë dhe e miratojmë ligjin për zvogëlimin e kabinetit qeveritar, ai ligj duhet të zbatohet në atë mandat, e jo për mandatin tjetër”, theksoi ajo, raporton Koha.net.

Tutje, ajo tha se Qeveria Haradinaj ka qenë e pafuqishme në shkarkimin e ministrave nën aktakuzë.

“Kjo është ajo pafuqia e kryeministrin Haradinaj. Ai dha dorëheqje për të shkuar në Hagë, por s’ishte në gjendje të shkarkonte asnjë ministër nën aktakuzë”, u shpreh Bajrami.

Për koalicionin e mundshëm me PDK-në, deputetja e LDK-së tha se Këshilli i Përgjithshëm i partisë ka diskutuar për mundësinë e koalicioneve paszgjedhore.

“Në vitin 2014 e dimë të gjithë ngërçin 6 mujorë që patëm. Nuk shohim absolutisht të mundshëm një bashkëpunim me PDK-në sepse besojmë thellë se kjo parti duhet të shkojë në opozitë për të paktën dy mandate, të pastrohet, të largojë kriminelët nga gjiri e saj e më pas të dalë të kërkojë votën qytetare. Me këtë përbërje s’mund të thotë se po e luftoj korrupsionin. Qytetarët tani po e dinë. Kemi parë reagimet e Ambasadave në vend që flasin gjithmonë për eksponentë të PDK-së që në mënyrë joligjore dhe jomeritore mbajnë pozita kyçe në Kosovë. Kemi vija të kuqe për PDK-në, si për koalicion parazgjedhor ashtu edhe për atë paszgjedhor”, deklaroi ajo.

Deputetja e LDK-së e quajti të befasishëm reagimin e vendeve të Quintit, të cilat sot kërkuan vazhdimin e dialogut. Ajo tha se vendi nuk ka Qeveri dhe s’ka kush të dialogojë.

Sa i përket tarifës 100%, Bajrami tha se beson që “ajo duhet të suspendohet kur Serbia t’i plotësojë kushtet për të cilat është vënë”.

“Por, Qeveria aktuale e ka vënë taksën dhe në emër të saj ka abuzuar me paranë publike në baza ditore. Çkado që kemi pyetur në publik qeverinë aktuale, ata e kanë përmendur tarifën. Është shfrytëzuar për të mbuluar skandalet e tyre. Qeveria e ardhshme nuk do ta mbajë taksën për këto arsye. Nëse vjen deri te suspendimi i saj, ne do t’i kemi kushtet: Serbia duhet t’i plotësojë kushtet të cilat janë vënë me vendosjen e taksës”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Nëse këto kushte nuk plotësohen, taksa absolutisht nuk do të hiqet. Miqve ndërkombëtarë nuk mund t’iu thuash se ‘nuk dua ta heq taksën’. Duhet të arsyetohet përse nuk e heqim. Qeveria aktuale ka thënë ‘nuk e heq edhe pikë’. Kështu nuk dialogohet me miqtë ndërkombëtarë. Sa i përket dialogut, LDK-ja ka qëndrimin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis sa i përket këtyre”, përfundoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

23:41
Bajrami: Nëse bëhen bashkë 25 parti, edhe ne detyrohemi të bëjmë koalicion

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se kjo parti preferon të hyjë e vetme në zgjedhje, por një gjë e tillë ka shtuar se varet edhe nga sjelljet e partive kundërshtare. Sipas saj, nëse bëhen të tjerët bashkë, edhe LDK-ja do të detyrohet të reflektojë për një koalicion parazgjedhor.

Pas afrimeve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, Bajrami ka thënë se kjo është e vetmja pikë që po shihet si shpresë nga qytetarët.

“Është kohë zgjedhjesh. LDK sapo ka dalë nga procesi i brendshëm. Isa Mustafa u rikonfirmua si kryetar. Jemi në kohë zgjedhjesh, takimi i sotëm mes Mustafës dhe kryetarit të VV-së Albin Kurtit ka të bëjë pikërisht për të uruar Mustafën për rikonfirmim të mandatit të ri në partinë më të madhe dhe mundësitë e bashkëpunimit. Ne kemi bë pothuajse të qarta preferencat tona. Preferojmë që të gjitha partitë e mëdha të shkojnë veç e veç. Do të ishte procesi më legjitim i mundshëm nëse partitë e mëdha do të mateshin. Do të dihej përfundimisht kë do ta donin qytetarët në krye të qeverisë e do të ishte më e lehtë për koalicione paszgjedhore”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

“Preferencat tona janë që të shkojmë vetë. Po na nxjerrin sondazhet fituese, por s’jemi komodë, jemi vazhdimisht në terren. Por s’varet gjithçka nga preferencat, por edhe nga sjellja e oponentëve. Nëse bashkohen 24-25 parti kundër nesh, ne duhet të reflektojmë për një koalicion”, ka deklaruar më tej ajo.

Bajrami ka shtuar se qeveria e koalicionit PAN “ka qenë pa legjitimitet sepse prej 22 ministrive vetëm dy i takuan partisë së kryeministrit”.

Sa i përket kandidatit për kryeministër nga kjo parti, Bajrami ka thënë se kandidati duhet të jetë dikush që reflekton më së miri qëndrimet e LDK-së dhe që e mban të unifikuar partinë.

Për reagimet e PDK-së pas takimit të Mustafës me Kurtin duke ua kujtuar përplasjet e mëhershme, Bajrami ka thënë se është pikërisht PDK-ja ajo që ka pasur sjelljen më të keqe ndaj partive tjera politike.

“Kjo vjen nga frika nga humbja tepër e thellë që po i pret. S’duhet të çuditen për sjelljet e oponentëve politikë ndaj LDK-së e Mustafës, sepse nëse dikush mban stafetën për sjellje jo të drejtë ndaj LDK-së është PDK-ja. Kanë mbetur pa miq në skenën politike. Sa ka pas debate së fundmi, të gjitha partitë, PDK-së i vendosin vijë të kuqe, sepse s’dinë të respektojnë marrëveshje e kontrata. Janë ata pikërisht që prej vitit 2007 sa udhëheqin këtë vend e ka kapluar krimi e korrupsioni. Është ofendim që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli të thotë para qytetarëve se do të çrrënjosë krimin kur është partia më e kriminalizuar”, ka deklaruar Bajrami.

E pyetur a e ka falur Mustafa Vetëvendosjen për sjelljet në të kaluarën, Bajrami ka thënë se “Mustafa po e tejkalon vetveten për hir të Kosovës, partisë dhe qytetarëve”.

“Po shohim thirrje nga gjithë qytetarët që një koalicion i shpresës do të ishte një qeveri e opozitës së sotme. Të gjithë presin në fakt që partitë në PAN-koalicionin të jenë në opozitë. Ai po i tejkalon të gjitha për hir të qytetarëve. Akuzat duhet të adresohen te ata që i kanë bërë”, ka shtuar ajo.

Bajrami ka thënë se pozita e kryeministrit nuk duhet të jetë pikë ndarëse mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, ndërsa ka shtuar se LDK-ja është plotësisht kundër një qeverie teknike.