Bajram Gecaj, VV-së: Me ia rrëzu dajës kamionin, hani dajak që e mbani mend sa jeni gjallë!

E publikuar: 30/08/2015 18:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri për Kthim dhe Komunitet në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje që “t’i adaptohet sistemit demokratik”.

“Gjatë vitit të kaluar, në kohën gjersa tentonim një koalicion qeverisës ndryshe (VLAN), me rastisi të bisedoja më gjatë me aktivistë të Vetëvendosjes në lidhje me veprimet e shumta të tyre të palogjikshme politikisht. Me njërin nga këta aktivist diskutova mbi aksionin e tyre të mëhershëm të rrëzimit të kamionëve”, thotë Gecaj. “I thashë se e kisha një dajë si ‘ujk’ dhe të cilit i ishin dashtë disa vite punë të lodhshme të mblidhte paratë për të blerë një kamion, me të cilin tani ai nxirrte bukën e gojës. Daja im do të mund të vendoste të bartë mallra edhe nga Serbia, pasi që këtë ia mundëson korniza ligjore e Republikës së Kosovës. Po të tentonit t’ia rrëzoni kamionin dajës tim, i thash, do të merrnit një ‘dajak’ të cilën nuk do ta harronit deri sa të ishit gjallë”, shton më tej Gecaj.

Sipas tij, është plotësisht jologjike, kundërligjore dhe johumane të sulmohet prona private, diçka të cilën, siç thotë, aktivistët kryeneç të Vetëvendosjes po vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë.

“Këto metoda janë metodat e mëhershme të komunistëve revolucionarë, të cilët pa fije turpi e njerëzie sulmonin pronat individuale, madje edhe ekzekutonin individ në mënyrë e vende publike, vetëm-e-vetëm pse ishin të pasur apo se ishin pjesë e inteligjencës së atëhershme ‘borgjeze’”, ka thënë Gecaj.

Këta aktivistë, thotë Gecaj, nuk kanë punë me shtëpinë dhe familjen e kryeministrit Mustafa, por duhet të ballafaqohen me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Këtë ballafaqim do të duhej ta bazonin në fakte dhe ta shpjegonin me terma konkrete, e jo të dalin dhe të murmurojnë pa asnjë sens, me terma të përgjithshme e me gjuhë të pa-definuar. Edhe LDK, që është parti larg më e madhe se Vetëvendosje, do të mund të mblidhte një kundër-masë për të kundërshtuar atë grusht të vogël të aktivistëve të Vetëvendosjes. Por ne jemi parti institucionaliste, dhe besojmë se problemet në demokracitë e tipit perëndimorë zgjidhen në kuadër të institucioneve, e jo duke sulmuar pronat dhe familjet e krye-funksionarëve të shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë Gecaj.

Ai thotë se nuk është për t’u çuditur për veprimet e tilla, të cilat vijnë nga individë të cilët edhe nuk e njohin Republikën e Kosovës, republikë kjo e fituar me gjakun e atyre në emër të të cilëve thirren këta aktivistë.

“E megjithatë, këta aktivistë me pafytyrësi vazhdojnë të gëzojnë të gjitha benificionet e shtetit të cilin nuk e njohin. Unë ftoj anëtarësinë e ndershme dhe konstruktive të kësaj lëvizjeje/partie të bëjnë presion në udhëheqësinë e tyre, e në mënyrë qe këta të fundit të punojnë e veprojnë në kuadër dhe brenda kornizës së demokracisë institucionale”, ka thënë Gecaj.