Bajram Gecaj i ka dy fjalë edhe me AAK-në!

E publikuar: 01/02/2016 09:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bajram Gecaj, Zëvendësministri i MAPL-së dhe pothuajse zëdhënësi i LDK-së i cili për çdo gjë ka të thotë diçka sot e ka nisur javën me AAK. Kështu, Gecaj në profilin e tij në FB ka shkruar se kalimi i nëndegës së AAK-së së Kaçanikut në partinë e tij ndodhi për shkak të pakënaqësisë ndaj veprimeve të dhunshme që po përdor opozita. Gecaj në një postim në Facebook ka shkruar se për shkak të metodave të dhunshme të përdorura tani e një vit nga ana e opozitës po ikun nga partitë opozitare militantët e tyre.

Ja edhe postimi i Gecajt në Facebook:

Në mënyrë solemne dje kaloi një grup ish-aktivistësh të AAK-së nga Kaçaniku në radhët e LDK-së. Derisa struktura qendrore e AAK-së akuzoi LDK-në se po “blen argatë”, ne besojmë se do të ishte shumë më mirë poqëse ata do të reflektonin ndaj këtij fenomeni aspak të zakonshëm.

Kjo për arsye se këta “argatë” deklaruan publikisht se lëshojnë radhët e tyre të mëparshme për shkak të metodave të dhunshme të përdorura tani e një vit nga ana e opozitës.

Derisa Lëvizja Anarkiste e Vetëvendosjes (LAV) vërtetë është plotësisht në elementin e tyre “anarkist e revolucionar”, elektorati dhe aktivistët e AAK-së, por edhe të NISMA-s, nuk kanë votuar për përdorimin e metodave të tilla.

Ç ‘është edhe me e dhimbshme, ditën e shenjtë të përkujtimit të heronjve të popullit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, imituesi i liderit të LAV, Visar Ymeri, i cili luftën e ka parë vetëm në filma dhe për te ka dëgjuar vetëm nga tregimet, e keqpërdorë në mënyrë të paskrupullt për poenë politikë, duke na “ligjëruar” se për çka paska pas luftuar dhe për çka jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Luftëtarët e UÇK-së nuk kanë luftuar që disa anarkistë të rrënojnë rezultatet e tyre për hir të ardhjes në pushtet, e posaçërisht jo të na i rrënojnë marrëdhëniet me vendet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.