Bahtiri: Po heqim barrikadën në sheshin “Adem Jashari”

E publikuar: 30/10/2016 13:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas heqjes së barrikadës së fundit të vendosur në Mitrovicën e Veriut, të shtunën mbrëma te Shkolla Teknike, sot është duke u liruar edhe pengesa e fundit, nga banorët shqiptarë në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve”.

Kështu ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri.

“Sot po hiqet edhe kjo pjesa që është quajtur sheshi ‘Adem Jashari’ dhe tashmë çdo qytetar mund të lëvizë lirshëm në Mitrovicë”, ka deklaruar Bahtiri për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë hapësirë ishte vendosur një cilindër betoni me diametër 1.5 metra, në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve” nga banorët shqiptarë, duke e emërtuar atë Sheshi “Adem Jashari”.

Vendosja e cilindrit të betonit në “Lagjen e Boshnjakëve”, ishte, siç thuhej, një kundërpërgjigje e banorëve shqiptarë ndaj një vendimi të organeve komunale të Mitrovicës së veriut për ndërtimin e sheshit “Princ Lazari”, në vitin 2014”.