Bahtiri: Pa u kryer dialogu Kosovë-Serbi nuk do të ketë zgjedhje në Kosovë

E publikuar: 04/07/2019 21:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka folur për rrëzimin e Qeverisë dhe zgjedhjet e reja.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se inskenimi i krizës humanitare në veri ishte skenar për ndarjen e Mitrovicës.

Bahtiri, në RTV Dukagjini ka thënë se kthimi i eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje ka qenë një “pararojë” për ndarjen e qytetit.

Duke folur për zhvillimet politike në vend, Nënkryetari i AKR-së thotë se ai ka qenë dhe është për rrëzimin e kësaj qeverie, por sipas tij “rrëzimi i Qeverisë është vetëm në dorën e PDK-së dhe Kadri Veselit”.

Bahtiri, thotë se PDK-ja mund ta rrëzojë Qeverinë pasi ndihet pak e diskriminuar në raport me fuqinë parlamentare që ka në Kuvend.

“Partitë tjera në koalicion nuk janë të interesuara për rrëzimin e Qeverisë”, tha ai.

Sipas Nënkryetarit të AKR-së, çdo qeverisje e ardhshme në Kosovë do të bëhet pa PDK-në.

Ai ka thënë se AKR-ja është ajo që ka bërë Haradinajn kryeministër pasi “ata provuan tre muaj dhe nuk arritën pa AKR-në ta bëjnë Qeverinë”. Por megjithatë Bahtiri thotë se AKR ka rënë viktimë që është bërë pjesë e kësaj qeverisje.

Kryetari i Mitrovicës, thotë se janë disa punë që duhet të kryhen brenda kësaj qeverisje, prandaj këtë vit nuk ka zgjedhje sipas tij.

“Pa u kryer dialogu Kosovë-Serbi nuk do të ketë zgjedhje në Kosovë”, tha ndër të tjera Agim Bahtiri.