Bahtiri: I kërkoi falje popullit për deklaratën rreth “konfliktit vëllavrasës”

E publikuar: 30/03/2020 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agim Bahtiri u ka thënë sot autoriteteve të shtetit se deklarata e tij për “konfliktin e vëllavrasjes” i është nxjerrë nga konteksti.

Burime të Klan Kosovës mësojnë se ai, gjatë intervistimit, ka deklaruar se nuk ka kërcënuar dhe se nuk ka patur për qëllim ta kërcënojë askë, me siç ka thënë, deklaratën e keqcituar gjatë një paraqitje në programin e mëngjesit të një televizioni.

Kryetari i komunës së Mitrovicës dhe anëtari i Vetëvendosjes ka thënë, gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet në lidhje me këtë çështje, se i ka kërkuar falje popullit përmes një interviste tjetër në portalin Klan Kosova.

Bahtiri është intervistuar nga forcat e rendit, pas kërkesës së një prokuroreje të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, bazuar në paragrafin e parë të nenit 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës që është “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ky paragraf thotë se “kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.

Pas intervistimit, rasti i Bahtirit është lënë në procedurë të rregullt.