Bahtiri e Mujka dënojnë ashpër rrahjen e shqiptarit nga të rinjtë serbë

E publikuar: 22/02/2017 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Incidentin ndëretnik në Kroi i Vitakut, ku dy sebë rrahën për alivanosje shqiptarin Sadat Rama, e kanë dënuar ashpër drejtuesit e komunës së Mitrovicës.

Sipas të parit të kësaj komune, Agim Bahtirit dhe nënkryetarit Faruk Mujka ky incident po ndodh pas një kohe bukur të gjatë larg telasheve të tilla.

”Të gjithë duhet t’i dënojmë rastet e këtilla të incidenteve ndëretnike, sepse ato mund ta përkeqësojnë situatën e sigurisë, e cila ka një kohë të gjatë që ishte e qetë dhe mjaftë stabile, falë kontributit të vet qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike para së gjithash, drejtuesve të komunës, policisë së Kosovës  dhe të institucioneve tjera. Unë edhe me këtë rast ftoj qytetarët që të mos bëhen pre e njerëzve keqbërës  me prirje kriminale, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri poashtu ka kërkuar nga policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë që rasti të zbardhet sa më shpejtë dhe që sulmuesit të kapen e të vendosen para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar, thuhet në komunikatën e dërguar.