Bach kishte kërcënuar serbët për Kosovën

E publikuar: 22/08/2017 10:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, kishte kërcënuar serbët para Lojërave Olimpike “Rio 2016”, pasi autoritetet e Serbisë kishin sugjeruar sportistët serbë që të lëshojnë podiumin nëse në të do të gjendeshin edhe sportistë nga Kosova.

Çështja e qëndrimit të përbashkët në podium është bërë aktuale në ditët e fundit në Serbi, pasi presidenti i ri i Komitetit Olimpik të Serbisë, Bozhidar Malkoviq ka thënë se sportistët serbë nuk do të lëshojnë podiumin ku ndahen medaljet, edhe nëse në të ka sportistë nga Kosova, shkruan sot “Koha Ditore”. Nuk ka pasur raste të tilla deri më tani në ngjarje të mëdha, por kjo mund të ndodhë në të ardhmen.

Qeveria e Serbisë në verën e kaluar, para fillimit të Lojërave Olimpike “Rio 2016”, kishte dalë me sugjerimin që sportistët serbë të lëshojnë podiumin nëse në të do të qëndronin sportistë të Kosovës, që për herë të parë po merrnin pjesë në Lojëra Olimpike. Ai sugjerim vetëm javën e kaluar është hedhur poshtë nga Malkoviq, që në një rrëfim për televizionin “Pink” ka paraqitur detaje të reja.