Bacca: Nuk jam në krizë, qëndroj në Milan

E publikuar: 18/03/2016 18:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Golashënuesi më i mirë i Milanit në këtë sezon, Karlos Baka, “agjëron” prej katër takimesh në kampionat, teksa në 360 minuta lojë numëron vetëm një goditje në kuadratin e portës kundërshtare.
Mirëpo lojtari ka qetësuar tifozët, duke theksuar se nuk është në krizë: “Është e vërtetë që më mungon goli, kjo u ndodh të gjithë sulmuesve. Nuk ndihem në krizë, kundër Lacios do mundohem të shënoj për të ndihmuar ekipin që të rikthehet te rezultatet pozitive në kampionat”.

Së fundmi u fol se pas shpërthimit të Abates dhe Abiatit në përfundim të sfidës së humbur kundër Sasuolos fshihej Baka, por ky i fundit e ka përgënjeshtruar në mënyrë kategorike:

“Nuk është e vërtetë që deklarata e Abates dhe Abiatit më adresohej mua. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë. Ato janë dy lojtarë ‘veteranë’ dhe kanë të drejtë, pasi në ndeshjet e fundit nuk kemi dhënë më të mirën tonë. Tani duhet të ringrihemi sa më shpejt, pasi Milani duhet të rikthehet patjetër në Europë. Jam i qetë dhe i lumtur te Milani. Dashuria e tifozëve karshi meje tregon se po bëj një sezon të mirë.

E ardhmja?

Siç e kam thënë gjithmonë, jam shumë i lumtur këtu dhe kam një kontratë 5-vjeçare me klubin, të cilën dua ta respektoj. Tifozët nuk duhet që të frikësohen nga largimi im, pasi nuk kam asnjë qëllim për t’u larguar në fund të sezonit. Kam besuar qysh në fillim te projekti i klubit dhe jam i bindur se shumë shpejt do të rikthehemi në garë për të fituar titullin në Itali”.

Në fund të fjalës së tij, 29-vjeçari shtoi:”Kemi edhe 9 finale për të luajtur dhe të gjithë duhet të qëndrojmë të përqendruar, pasi duhet të luftojmë deri në fund. Kupa e Italisë? Është objektivi kryesor për ne në këtë sezon. Duam të fitojmë një trofe dhe të gjithë besojmë se mund t’ia dalim edhe pse nuk do jetë e thjeshtë, pasi në finale do të luajmë kundër një ekipi shumë të fortë si Juventusi”, tha ai.