“Avullimi” i njohjeve

E publikuar: 22/01/2019 08:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fushata e egër e diplomacisë serbe ka bërë që disa shtete ta pezullojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Një veprim të tillë dje e bëri shteti i Palaut, derisa po vijnë paralajmërimet se njëjtë do të veprojnë së shpejti edhe katër shtete tjera të botës.Në kohën kur, sipas zyrtarëve serbë, njohjet e pavarësisë së vendit kanë marrë tatëpjetën, Kosova qe disa muaj nuk ka ambasadorë në Angli, në Suedi, në Australi, por as në Shqipëri, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse në vitin 2013 kishin nënshkruar Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, Serbia nuk po rresht së ndaluri fushatën e egër kundër Kosovës duke lobuar te shtetet e ndryshme të botës që t’i tërheqin njohjet.

Gjatë ditës së djeshme mediet serbe raportuan se shteti i Palaut ka marrë vendim që ta pezullojë njohjen e Kosovës derisa të përfundojë procesi i dialogut me Serbinë. Pos kësaj, përfaqësuesit e institucioneve serbe kanë paralajmëruar se shumë shpejt në drejtim të Kosovës do të vijnë edhe katër tërheqje të tilla. Pavarësisht kësaj, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) kanë mohuar të ketë ardhur pezullimi i njohjes nga shteti i Palaut. Në anën tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se termi “Çnjohje” nuk njihet me të Drejtën Ndërkombëtare, megjithëkëtë sipas tyre një “luftë” e tillë diplomatike nga ana e Serbisë i sjell efekte negative shtetit të Kosovës.