Avokati: Milaim Zeka do të lirohet

E publikuar: 17/10/2017 09:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokati i deputetit të NISMA’as për Kosovën, Milaim Zeka, ka deklaruar se nuk pret që klienti i tij të dalë para gjykatës, pasi sipas tij prokurori do të nxjerrë një vendim të arsyeshëm dhe të kërkojë që ai të lirohet menjëherë.

Halilaj u shpreh shumë optimist se Zeka do të lirohet pa seancë, kjo duke besuar se do mirret vendimi i arsyeshëm dhe në mënyrë të thjeshtë, që Policia ta lirojë atë pasi nuk kanë prova që inkriminojnë klientin e tij.

‘Unë po pres që ai të mos dalë hiq para Gjykatës, për shkak se prokurori do të nxjerr një vendim të arsyeshëm i cili nuk bën kurfarë propozimi, mirëpo eventualisht nëse do dal ndodhë brenda 48 orëve,’ u shpreh Halilaj për Gazetën Metro.

Avokati i deputetit edhe dje u shpreh i bindur se klienti i tij është i pafajshëm dhe nuk ka prova që do ta inkriminon Zekën, mirëpo ndaj klientit të tij iu shqiptua masa e ndalimit nga prokurori i rastit.

E arrestimi i Zekës, siç u raportua dje nga Metro e u konfirmua nga Policia e Kosovës, ka të bëjë me dyshimin për përfshirjen në veprën ‘mashtrim dhe ikje nga tatimi’, që lidhet me çështjen e mashtrimit me viza për qytetarët kosovarë.

Ndryshe, çështja e mashtrimit me viza u raportua javë më parë, ndërkohë që u dhanë dëshmi për lidhjet e deputetit Milaim Zeka me personin kryesor të kësaj agjencie, Ilir Krasniqin, i cili tani ndodhet në paraburgim.