Avokati i policit: Vajza shkoi vetë për të abortuar te gjinekologu

E publikuar: 08/02/2019 15:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ditë më parë, kur po vendosej rreth masës së paraburgimit ndaj policit të dyshuar V.V., për keqpërdorim seksual, duke keqpërdor pozitën, si dhe për ndërprerje të palejuar të shtatzënisë, avokati i të dyshuarit, Bekim Kafexholli, para gjykatës ka deklaruar se e dëmtuara ka shkuar vetë në Ordinancën “Cerstina” për të abortuar.

Në vendimin e gjykatës, që e posedon “Koha Ditore”, ai ka deklaruar fillimisht se klienti i tij nuk e njeh profesorin, të cilin e ka denoncuar e dëmtuara para policisë. Ka thënë se i dyshuari nuk ka bërë kurrfarë ndikimi apo presioni rreth denoncimit që ajo e ka bërë para policisë.

Ndërkaq, sa i përket abortimit muajin e kaluar, ka thënë se klienti i tij nuk ka qenë në ordinancë, ashtu siç e përshkruan prokuroria.

“Dua të kujtoj se mjeku që e ka bërë intervenimin ka treguar qartë se e dëmtuara ka shkuar vetë, nuk ka treguar se ka pasur presion dhe ndërprerjen e ka bërë në mënyrën vullnetare dhe nuk e ka përmend asnjëherë se ka qenë ndonjë person, që ka bërë pagesën në emër të dëmtuarës. Deklarata e vajzës është tërësisht subjektive, jo e drejtë dhe jo reale”, ka thënë Kafexholli.