
4.5 milionë euro i janë paguar Z-Mobile’it për shpenzimet në rastin me Telekomin, të cilin kjo e fundit e humbi. Por, kush e mbrojti, ose kush dështojë ta mbronte PTK’në përballë Z-Mobile’it në Gjykatën e Arbitrazhit? Express mëson se avokatët e kompanisë ta zgjedhur për ta mbrojtur Kosovën janë njerëz të afërt me Agron Mustafën dhe me të kanë punuar në Aeroport. Njëri nga avokatët është gjithashtu familjar i Fatmir Gjonbalajt, drejtor i Prokurimit në Telekom.
Nuk ka asnjë pjesë të marrëveshjes së Telekomit me Devollët që nuk ngrit dyshime të mëdha dhe secila përllogaritje e thjeshtë të çon në përfundimin se Devollët kanë lidhje të forta, sidomos brenda Telekomit e kanë ndikim te menaxhmentin i Telekomit aq sa kanë ndikim në kompaninë e tyre.
Krejt në heshtje, menaxhmenti i Telekomit, përkatësisht ish-kryeshefi i saj, Agron Mustafa, ia ka paguar 4.5 milionë euro Z-Mobile’it për shpenzimet në Arbitrazhin, ku Telekomi humbi rastin ndaj kompanisë së Devollëve, duke u gjobitur me 32 milionë euro. Edhe më tutje askush nuk tregoi se si u bë që të vendosej që shumë e shpenzimeve të jetë 4.5 milionë euro, që tashmë janë derdhur në xhirollogarinë e Devollëve.
Edhe avokatët Fazli Gjonbalaj dhe Naim Krasniqi, kompaninë e të cilëve e zgjodhi Telekomi ta përfaqësonte në Gjykatën e Arbitrazhit kanë lidhje brenda Menaxhmentit të PTK’së.
Gazeta Express ka mësuar se nbrojtja që dështoi ta mbronte kompaninë publike në Arbitrazh kishte lidhje të afërta me Agron Mustafën, ndërsa njëri nga avokatët e kontraktuar, Fazli Gjonbalaj, është familjar i Fatmir Gjonbalajt, drejtor i Prokurimit në PTK.
Në një prononcim për Gazetën Express, Mustafa ka thënë se i njihte dhe se ka pasur lidhje pune me dy avokatët e kompanisë “Ligji”, Fazli Gjonbalajn dhe Naim Krasniqin derisa kishte qenë drejtor i Aeroportit.
“Kanë qenë punëtorë të Aeroportit, njëri ka qenë drejtor i Zyrës Ligjore, tjetri zëvendësdrejtor”, ka thënë Mustafa, ndërsa kur është pyetur nëse njohja e tij e mëparshme ka ndikuar në zgjedhjen e kompanisë së dyshes për përfaqësimin të Telekomit, Mustafa thirret në procedurën e zgjedhjes me anë të konkurs publik.
“E kam treguar procedurën se si janë zgjedhur”, ka thënë tutje Mustafa.
Mustafa, i cili të martën ishte i ftuar në emisionin Pressing, ka treguar se kompania “Ligji”, që është zgjedhur për ta mbrojtur Telekomin, ka qenë e vetmja mundësi pasi që kompania tjetër që ka aplikuar si ka përmbushur kushtet.
“Është zgjedhur përmes tenderit të hapur publik. 16 kompani kanë shpreh interesimin, Prej 16 kanë apliku vetëm dy. Njëra ka qenë e papërgjegjshme”, ka treguar ish-shefi i Telekomit.
Menaxhmenti i Telekomit që ndër vite i krijoi terren të përshtatshem kompanisë së Devollëve u përkujdes që Z-Mobile të shënonte fitore të pastër në cdo pistë dhe përfitime të shumëfishta duke shfrytëzuar Telekomin dhe infrastrukturën e tij. Kontrata fundit e kompromisit e nënshkruar mes menaxhmentit të Telekomit dhe menaxhmentit të Z-Mobile është qind për qind në favor të kompanisë së Devollëve. Marrëveshjen në fjalë e ka nënshkruar Agron Mustafa.
Në Pressing, Mustafa ka treguar se me hartimin e kontratës së dytë mes Telekomit dhe Z-Mobile’it, që është mbajtur sekret deri në ditën kur e siguroi dhe e publikoi Gazeta Express, ka vendosur e tërë struktura menaxheriale e Telekomit e përbërë nga 12 veta. Mes tyre edhe Fatmir Gjonbalaj. Express ka provuar ta kontaktoj sot gjatë ditës Gjonbalajn megjithëse ai nuk ka qenë i qasshëm.
Kontrata e dytë mes Telekomit dhe Z-Mobile’it kthen kompaninë publike në peng të kompanisë së Devollëve. Për të mos iu paguar 32 milionë euro gjobë nga Arbitrazhi, Telekomi detyrohet t’i japë shërbime pakushte e pakufizime Z-Mobile’it deri në vitin 2023.
Në të Telekomi detyrohet t’i ndajë numra Z-Mobile’it përtej kapacitetit të PTK’së që tashmë është në afër falimentimit, të përdorë infrastrukturën e Telekomit pa investuar vetë, dhe t’i paguaj 4.5 milionë shpenzimet në Gjykatën e Arbitrazhit. /Express/.