Avdullah Hoti zgjidhet nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

E publikuar: 20/06/2020 22:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur ta shkarkojë Vjosa Osmanin nga pozitat e saj në këtë parti. Osmani ishte pjesë e anëtarësisë së kryesisë së LDK’së dhe nënkryetare e saj, megjithatë Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së, vendosi të shkarkojë Osmanin nga këto pozita. Me vendimin për shkarkimin e Osmanit, gjithashtu u votua dhe u mor vendimi që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë nënkryetari i ri i LDK’së.

Në fletëvotimin lidhur me shkarkimin e Osmanit, anëtarëve të Këshillit të LDK’së iu shtrua pyetja se a e përkrahin propozimin që Hoti të jetë nënkryetar i LDK’së.

Nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të LDK’së, 99 prej tyre i janë përgjigjur pyetjes. Prej tyre, 92 janë shprehur pozitiv, tre kanë kundërshtuar dhe katër kanë abstenuar, ndërsa 24 nuk janë përgjigjur fare.

“Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, më 20 qershor 2020 në ora 19:00, pyetjeve: A e përkrahni propozimin që z. Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, njoftoi kreu i LDK’së, Isa Mustafa.

Tutje, ai tha se “Në bazë të këtij votimi, si kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës VENDOSI që: z. Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së”./Express/