“Autostrada” energjetike, stabilizon bizneset

E publikuar: 12/03/2015 14:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh ne mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ndikojë edhe në përmirësimin e gjendjes se kompanive vendore, pasi vazhdimisht si problem kryesor në afarizmin e tyre, kanë paraqitur furnizimin jo të rregullt dhe çmimin e lartë të energjisë elektrike, thonë përfaqësues të bizneseve.

Ky projekt, i cili ka filluar dy vite më parë dhe 1/ 3 e projektit tashmë ka përfunduar nga zyrtarë të Qeverisë se Prishtinës dhe Tiranës, gjatë inspektimeve të punimeve është cilësuar si “autostrada” energjetike apo “shtyllë kurrizore”, për përmirësimin e gjendjes energjetike në këto dy shtete.

Luan Morina, udhëheqës i Departamentit për Energji në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në një përgjigjeje përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “ndërtimi i linjës 400 kilovat, do t’i mundësojë Kosovës dhe Shqipërisë, të shkëmbejnë më mirë energjinë elektrike të prodhuar në dy vendet tona, por edhe atë të importuar”.

Ai ka shtuar se kjo alternativë “do të kontribuoj në sigurinë dhe transportin e energjisë elektrike, që është në dobi të konsumatorëve të energjisë, duke nënkuptuar edhe bizneset vendore dhe të huaja që operojnë në Kosovë dhe Shqipëri, e që do të kenë siguri më të mire të furnizimit të energjisë elektrike”.

Se nga kjo linjë, përfitimet janë të shumta për shtetin, konkretisht për kompanitë prodhuese vendore dhe të huaja, thotë Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

“Meqenëse shumë nga ankesat e bizneseve, sidomos të atyre të sektorit të prodhimit, vazhdimisht janë lidhur më stabilitetin e furnizimit të energjisë elektrike, dhe jo vetëm me faktin se ka apo jo energji elektrike, por edhe cila ka qenë cilësia e asaj energjie elektrike, që ata kanë marrë në impiantët e tyre të prodhimit”.

“Atëherë, besoj se ndërtimi i asaj që është quajtur “autostradë” energjetike do të ndikojë shumë në rend të parë në stabilitet, por edhe në furnizim më cilësorë me energji elektrike për bizneset”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, ky projekt ka filluar në vitin 2013 pas nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi qeveritar në mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku energjetika ishte vlerësuar si fusha me potencial për investime të përbashkëta.

Gjatësia e kësaj linje është 241.5 kilometra, 90 km është nga pjesa e Kosovës ndërsa gjatësia nga Shqipëria është 151.5 kilometra.

Vlera e përgjithshme e financimit është 75.5 milionë euro, 33.5 milion euro do të financohen nga Kosova, ndërsa 42 milionë euro të tjera nga Shqipëria.

Edhe Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thekson se kjo linjë do të jetë një “infuzion” energjetik për qytetarët, kompanitë por edhe ekonominë e përgjithshme në Kosovë.

“Kosova dhe Shqipëria nuk kane stabilitet me furnizimin me energji elektrike në sezone të caktuara. Shqipëria kalon në krizë energjetik enë sezonin e verës, kurse Kosova në sezonin e dimrit”.

“Kjo “autostradë” energjetike, do të ndihmojë në sezone të caktuara dy shtetet, ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë, që të kemi energji më stabile në momente të caktuara”, thekson Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Linja e interkoneksionit, sipas autoriteteve kompetente, pritet të përfundoj në vitin e ardhshëm. Kosova deri në fund të këtij viti, shpresohet të përfundoj pjesën që i takon, kurse deri në pranverën e vitit të ardhshëm, pritet të përfundoj edhe pjesa e Shqipërisë.

Përveç kësaj linje, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se do të ndërtohet edhe një linje e re prej 110 Kilovatësh Dragash- Kukës.