Autoritetet Gjermane shpallin të jashtëligjshëm modelin e biznesit të Facebook

E publikuar: 09/02/2019 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Modeli super fitimprurës i Facebook bazohet tek gjurmimi i miliarda përdoruesve jo vetëm në Facebook por edhe WhatsApp e Instagram.

Kështu kompania grumbullon të dhënat për sajtet që vizitojnë dhe aplikacionet që përdorin, çfarë blejnë dhe kur blejnë, si dhe çfarë pëlqejnë. Kështu kombinon gjithë informacionin në profile të detajuara.

Facebook i përdor këto të dhëna për të dërguar reklama tek përdoruesit sipas interesave të tyre. Avokatët e privatësisë kanë arritur në përfundimin se rrjeti social nuk është mjaftueshëm transparent me të dhënat që posedon dhe çfarë bën me to.

Si rezultat shumica nuk kuptojnë se çfarë kostoje ka regjistrimi tek një shërbim falas në internet.

Ditën e Enjte Zyra Federale Gjermane për Monopolet (FCO) tha se Facebook po shfrytëzon konsumatorët duke u kërkuar të pranojnë grumbullimin e të dhënave për një llogari falas.

Autoritetet kërkuan ndalimin e kësaj praktike. Presidenti i autoritetit tha se Facebook nuk do të lejohet më të detyrojë përdoruesit të pranojnë një praktikë të tillë.

Në një postim në blog Facebook shkruante se ishte kundër konkluzioneve të autoriteteve dhe se do të apelonte vendimin në mënyrë që Gjermanët të vazhdojnë të përfitojnë shërbimet e rrjetit social.

Kompania ka një muaj kohë për të apeluar dhe nëse dështon duhet të ndryshojë mënyrën sesi menaxhon të dhënat e përdoruesve në Gjermani dhe jo vetëm por edhe ti vërë në dijeni.

“Kjo është një lëvizje shumë e rëndësishme,” thotë Lina Khan, eksperte në Shkollën e Ligjit në Kolumbia të SHBA për Tregjet e Hapura.

Ajo thotë se autoritetet nuk kanë bërë mjaftueshëm në drejtim të privatësisë. Këtu autoritetet Gjermane janë të qarta. “Teoria e tyre është se dominimi i Facebook është ai që u vendos “kushte përdoruesve” thotë Khan.

“Ku nuk ka konkurrencë, përdoruesit janë të gatshëm të pranojnë terma shërbimi edhe nëse nuk u pëlqejnë.”

Sipas autoritetet Facebook ka 32 milion përdorues në Gjermani dhe zotëron 80% të tregut. Rregullatori thotë se ky dominim i jep fuqinë për të mbikëqyrur praktikat e grumbullimit të të dhënave.

“Si një kompani monopol, Facebook duhet tu nënshtrohet obligimeve të ligjit për konkurrencën. Në operacionet e modelit të biznesit kompania duhet të marrë në konsideratë faktin se përdoruesit nuk mund të kalojnë tek rrjete të tjera sociale sepse nuk ka një alternativë,” presidenti i FCO.

Gjithashtu FCO thotë se Facebook përdor koleksionin e madh të të dhënave për të zhvilluar më tej dominimin e tregut përmes gjurmimit të përdoruesve.

Por Facebook thotë se “FCO nënvlerëson konkurrencën me të cilën përballemi në Gjermani, keqinterpreton GDPR dhe dëmton mekanizmat e ligjit Evropian për mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve në Bashkimin Evropian.

Facebook citon Snapchat, Twitter dhe YouTube si konkurrentë direkt në përpjekje për të treguar se konkurrenca nuk mungon dhe qëndrimi i FCO është i pavend.

FCO kundërshton duke thënë se Snapchat, YouTube dhe Twitter kanë funksione të ndryshme  nga Facebook dhe nuk mund të shihen si alternativa.

Tradicionalisht monopolet janë sulmuar për çmimet e larta të produkteve apo shërbimeve të tyre përkrah konkurrentëve duke përdorur dominimin. Në rastin e Facebook sipas FCO dëmi që u shkaktohet përdoruesve nga grumbullimi i të dhënave nga Facebook nuk është në kosto por në “humbjen e kontrollit.”

“Ata nuk mund të kontrollojnë më sesi përdoren të dhënat e tyre personale. Nuk kanë dijeni se për çfarë qëllimesh përdoren të dhënat e tyre,” shprehet FCO-ja.

Afro 74% e përdoruesve Amerikanë të intervistuar thonë se nuk e dinin që Facebook krijon profilet të tyre të interesave. 51% e të anketuarve thonë se nuk ndihen të sigurtë nga kjo praktikë.

Facebook thotë se gjurmimi i përdoruesve i bën shërbimet më të sigurta dhe i përmirëson ato. Sipas rrjetit social FCO nënvlerëson sesa shumë kompania ka bërë për ligjin Evropian të privatësisë GDPR.

FCO përdor pikërisht direktivat e këtij ligji dhe sipas principeve të saj thotë se Facebook nuk ka të drejtë të grumbullojë të dhënat e përdoruesve nga kompani të tjera. Jo vetëm që është anti-kompetitive por FCO beson se Facebook nuk e ka provuar që grumbullimi i të dhënave është në të mirën e konsumatorëve.

Nëse Facebook humbet apelimin atëherë Gjermania do të shndërrohet në eksperimentin e madh i cili do të provojë nëse ekonomia e mbikëqyrjes është i domosdoshëm për operimin e medias sociale. Mbase Evropianët e tjerë dhe Amerikanët mund të kërkojnë të njëjtën gjë. Ky vendim do të thyejë akullin dhe tu hapin rrugë vendimeve të tjera. /PCWorld Albanian