Autoritetet Amerikane nisin hetim për të mësuar nëse çmimi rekord i Bitcoin vitin e kaluar ishte manipulim

E publikuar: 22/11/2018 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërsa bitcoin vijon trendin negativ, autoritetet Amerikane raportohet se kanë hapur një hetim për të mësuar nëse vlera rekord e arritur vitin e kaluar ishte si rezultat i manipulimit të tregut.


Departamenti Amerikan i Drejtësisë është duke hetuar nëse tregtarët kanë përdorur tether, një monedhë kriptografike kontroverse të cilën themeluesit thonë se është e këmbyeshme me dollarin Amerikan, për të rritur vlerën e bitcoin.

Raporti vjen nga Bloomberg i cili citon tre njerëz të afërt me çështjen. Prokurorët federalë nisën një hetim ndaj kriptomonedhave në fillim të vitit.


Por tashmë besojnë se tregtarët e bursës kriptografike Bitfinex mund të kenë përdorur tether për të koordinuar vlerën e bitcoin.

Taktikat e përdorura janë ekzagjerimi i efekteve, vendosja e porosive të rreme derisa çmimi arrin një nivel dhe më pas tërheqja e tyre.

Autoritetet Amerikane kanë sulmuar vazhdimisht monedhën në javët e fundit. Të Premten Komisioni Amerikan për Bursat dhe Letrat me Vlerë nisi paditë e para ndaj themeluesve të monedhës në përpjekje për të adresuar abuzimet.

Megjithatë rregullatorët nuk janë të vetmit që kanë ngritur alarmin për efektin e tether mbi bitcoin.

Profesori i financave pranë Universitetit të Teksasit John Griffin, i cili ka eksperiencë 10-vjeçare në gjurmimin e mashtrimeve financiare, publikoi një studim në Qershor duke thënë se të paktën gjysma e vlerës rekord të bitcoin arritur vitin e kaluar ishte si rezultat i manipulimit.

Në studimin prej 66 faqesh ai thotë se tether është përdorur për të blerë bitcoin në momente kyçe kur ky i fundit ishte në rënie për të stabilizuar dhe manipuluar çmimin e monedhës.

Tether, që normalisht duhet të këmbehet 1:1 me dollarin, zakonisht gjendet nën këtë vlerë. Sot monedha këmbehej me 98 centë sipas CoinMarketCap.com. /CryptoWorld.al