Autoritetet Amerikane gjobisin EtherDelta, aksioni i parë ndaj një burse kriptomonedhash “të palicencuar”

E publikuar: 09/11/2018 04:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Amerikan për letrat me vlerë dhe bursat (SEC) gjobiti themeluesin e bursës kriptografike EtherDelta Zachary Coburn për operimin e një burse letrash me vlerë të paregjistruar.


Vendimi i autoriteteve Amerikane vjen në një kohë kur presioni për rregullimin e industrisë së monedhave kriptografike është shtuar.

Në një njoftim për shtyp, SEC tha se padia ndaj Coburn vjen si rezultat i ICO-së ERC20 të EtherDelta që komisioni e kualifikon si shitje letrash me vlerë.


“EtherDelta është një platformë online për tregimin e monedhave ERC20, një ICO e bazuar në blockchain. Coburn ka operuar një bursë letrash me vlerë të paregjistruar,” thuhej në deklaratën e autoriteteve.

Deklarata vijon më tej duke thënë se kjo është aksioni i parë i ndërmarrë ndaj një platforme të tillë.

EtherDelta është një bursë shumë popullore e decentralizuar e cila shfrytëzon kontratat inteligjente të Ethereum për të realizuar shitblerjet.

Sipas komisionit, EtherDelta ka shkelur disa ligje duke ofruar asete të cilat konsiderohen letra me vlerë.

Corburn ka pranuar të paguajë 300,000 dollarë dëmshpërblim, 75,000 dollarë penalitet dhe 13,000 dollarë interes.

Padia e SEC ndaj EtherDelta vjen një javë pasi publikoi raportin vjetor për mënyrën sesi do të rregullonin industrinë e kriptomonedhave.

Gjithashtu ajo do të shërbejë si precedent për raste të ngjashme bursat kriptografike të palicencuara, sidomos ato që operojnë një ICO. /PCWorld Albanian