Austria ndalon me ligj shaminë për vajzat në shkollat fillore

E publikuar: 16/05/2019 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me një ligj, për të cilin e dhanë votën deputetët e koalicionit qeveritar nga Partia Konservatore, ÖVP dhe Partia Populiste, FPÖ do të ndalohet në të ardhmen në shkollat fillore “veshja për arsye të fesë apo botëkuptimit, me të cilën lidhet mbulimi i kokës.”

Qeveria ka bërë të qartë, se ky ligj drejtohet vetëm kundër shamisë së kokës të myslimanëve dhe jo kundër “kipas” karakteristike të hebrenjve apo “patkës” së Sikhëve.

Zëdhënësi për çështjet e edukimit politik të partisë, FPÖ, Wendelin Mölzer theksoi se me ndalimin e shamisë së kokës dërgohet një sinjal kundër islamit politik.

Kurse deputeti konservator i ÖVP-së, Rudolf Taschner deklaroi, se bëhet fjalë për atë që vajzat myslimane të çlirohen nga “nënshtrimi”.

Opozita votoi gati e gjitha e bashkuar kundër këtij ligji dhe akuzoi qeverinë, se ajo është më shumë e interesuar për publicitet dhe jo për të mirën e fëmijëve, shkruan Der Standard përcjellë Klan Kosova.

Para vendimit në parlament, qeveria austriake bëri të ditur, se ajo pret ankimime të ligjit në Gjykatën Kushtetuese.

Ky ligj nuk ka rang kushtetues, sepse nuk u miratua me shumicën e cilësuar të dy të tretave.

Shoqata Austriake e Islamit, IGGÖ e kritikoi ashpër ligjin e ri të sapomiratuar në parlament.