Austria e Gjermania duan t’i kthehen jetës normale, OBSH kërkon të mos ngutën

E publikuar: 07/04/2020 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka rekomandime të qarta për vendet dhe rajonet lidhur me lehtësimin e masave ndaj pandemisë, por u kërkoi atyre që të mos i heqin ato shumë herët.

“Njëra nga gjërat më të rëndësishme është që të mos hiqen shumë herët masat në mënyrë që të mos kemi një përkeqësim përsëri”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier.

Sipas tij, kjo situatë, është e ngjashme me të qenit i sëmurë vetë.

“Nëse ngritesh shumë shpejt nga shtrati dhe vrapon shumë herët, rrezikon të biesh prapa dhe të kesh komplikime”, shtoi ai.

Disa vende në botë kanë paralajmëruar lehtësimin e masave të izolimit dhe të gjendjes së jashtëzakonshme,shkruan Express.

Më 6 prill Austria tha se mund të nisë lehtësimin e masave të izolimit nga java e ardhshme, por kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë distancimin fizik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Gjermania planifikon që më së larg më 19 prill të nisë rikthimin në gjendje normale, gradualisht.

Edhe Danimarka planfikon që më 15 prill të rihapë shkollat fillore.