Austria do t’ia dhurojë Ballkanit Perëndimor 651.000 vaksina Pfizer, ja kur do të vijnë

E publikuar: 20/04/2021 09:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Austria tha të martën se po planifikon të ndajë 651.000 doza të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e një skeme të Bashkimit Evropian për t’u ofruar asistencë vendeve fqinje dhe Afrikës. Këto vaksina pritet të vijnë më së largu në muajin gusht.

Komisioni Evropian e vuri në pah planin për mekanizmin e ndarjes së vaksinave në janar të këtij viti. Austria tha se do të shërbejë si koordinatore e këtij mekanizmi për Ballkanin Perëndimor dhe se dërgesa e parë e dozave mund të pasohet nga dërgesa të tjera, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Serbia e ka një prej shkallëve më të larta të vaksinimit në Evropë, por katër shtetet tjera që s’janë anëtare të BE-së nga ish-Jugosllavia dhe Shqipëria kanë pasur më pak sukses në këtë drejtim. Në Bosnjë, mungesa e vaksinave ka çuar në protesta.

“Me këtë nismë po tregojmë se nuk po e lëmë prapa këtë rajon”, tha ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg. Vendi i tij ka raporte të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Jashtme e këtij shteti tha se autoritetet austriake i kanë negociuar marrëveshjet mes kompanive “Pfizer” e “BioNTech” dhe shteteve pranuese. Austria do të ofrojë financim ndërmjetësues prej 11 milionë eurosh, ndonëse dozat do të paguhen nga fondet e BE-së për vendet kandidate për anëtarësim.