Australi: kryeministri dënon valëvitjen e flamurit nazist në Afganistan

E publikuar: 14/06/2018 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri australian Malcolm Turnbull tha se ishte “krejtësisht e papranueshme” për një grup ushtarësh që të valvisnin një flamur nazist mbi automjetin e tyre, ndërsa patrullonin në Afganistan në vitin 2007.

Korporata e transmetimeve televizive australiane publikoi një fotografi të incidentit të enjten, të një njësie të forcave speciale australiane, ndërsa patrullonte. Rrjeti televiziv citonte një burim të paidentifikuar brenda Departamentit të Mbrojtjes që e kujtonte incidentin si “një shaka shqetësuese”.

Departamenti i Mbrojtjes lëshoi një deklaratë, duke thënë se njësia e komandës, “mori masa të menjëhershme” për ta hequr flamurin dhe se ushtarët e përfshirë kishin marrë masë disiplinore.

Në deklaratë thuhej se Forcat Australiane të Mbrojtjes “hedhin poshtë si diçka të neveritshme atë që përfaqëson ky flamur. As flamuri dhe as përdorimi i tij nuk janë në përputhje me vlerat e Forcave australiane të Mbrojtjes”.

Publikimi i fotografisë vjen mes akuzave se ushtarët e forcave speciale kanë kryer shkelje të shumta gjatë vendosjes në Afganistan, përfshirë vrasjet e njerëzve të paarmatosur.