Auditori gjen një varg parregullsish në Doganën e Kosovës

E publikuar: 15/06/2018 16:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra Kombëtare e Auditorit ka evidentuar mangësi në Doganën e Kosovës, në zhvillimin e proceduarave për import, sidomos importit të cigareve pa licencë, si dhe parregullsi tjera.

Sipas të gjeturave të ZKA-së, sa i përket lëshimit të licencës për pagesën e taksës së akcizës dhe shumën e taksës administrative, thuhet se “çdo subjekt për të ushtruar veprimtarinë duhet të parashtrojë kërkesën për marrjen e licencës për pagesën e taksës se akcizës në Doganën e Kosovës.

Megjithatë, aty po ashtu thuhet se me datën 5 janar të vitit të kaluar janë importuar cigare në vlerë 251,087 euro në mungesë të licencës valide.

“Biznesit i kishte skaduar afati i licencës në fund të vitit 2016”, thuhet në raportin e ZKA-së, të publikuar në fillim të muajit qershor.

Po ashtu, raporti flet edhe për nënshkrimin e kontratave para zotimit të mjeteve, nga ana e Doganës.

Për kontratën për furnizimin me uniformë të personelit të Doganës, thuhet se është nënshkruar kontrata “pjesa II në vlerë prej 298,676€, më datën 22.03.2017”, ndërsa zotimi ishte bërë tek me datën 06.04.2017, pra më tepër se një muaj pas nënshkrimit.

Njësoj ka ndodhur edhe për shërbime të analizave kimike dhe testim të parametrave të derivateve të naftës.

“Pa zotim të mjeteve, janë nënshkruar edhe kontratat kornizë për ‘Shërbime të analizave kimike dhe testim të parametrave të derivateve të naftës – Pjesa I’, çmimi për njësi 358€ ndërsa realizimi në vitin 2017 prej 19,628€ dhe pjesa II, çmimi për njësi 425€, realizimi 21,034€. Ndërsa planifikimi për secilën pjesë ishte nga 120,000€/pjesë për tri vite”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Raporti i ZKA-së flet po ashtu për menaxhim jo efikas i llogarive të arkëtueshme.

Trajtimi dhe mbledhja e të arketueshmëve vazhdon të mbetet sfidë për Doganën e Kosovës, ndërkaq, përkundër veprimeve të ndërmarra për mbledhjen e borxheve dhe përcjellja e lëndëve në procedurë përmbarimore dhe gjykatë, vlera e të arkëtueshmëve është ende e lartë.

Në anën tjetër subjektet ekonomike vazhdojnë të mos kryejnë pagesën e borxheve ndaj DK-së.

Në raportin e ZKA-së për Doganën, thuhet se aplikimi i metodave të vlerësimit bëhen jo sipas kërkesave të kodit doganor, respektivisht nenit 34 të këtij kodi dhe nën paragrafët e tij, që përcakton se kur vlera doganore nuk mund të përcaktohet sipas nenit 33 të po atij kodi.

Auditori vërejtje ka po ashtu edhe për mënyrën e rivlerësimit të mallrave nga ana e Doganës.

ZKA thotë po ashtu se raportet e auditimit të brendshëm nuk ishin trajtuar në nivelin e duhur nga menaxhmenti i Doganës, pasi që një numër i vogël i rekomandimeve të tyre ishin zbatuar.

Nga gjithsej 38 rekomandimet e dhëna në tetë raportet e auditimit vetëm 16 prej tyre ishin zbatuar ndërsa 22 rekomandime ishin në proces të adresimit. Komiteti i auditimit (KA) nuk kishte dhënë ndonjë kontribut domethënës në këtë proces.