Auditori: Akademikët i servisuan veturat kundërligjshëm

E publikuar: 23/06/2017 17:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raporti i Auditorit për këtë vit, në Zyrën e Kryeministrit ka gjetur disa shkelje, në mesin e të cilave ka pasur edhe shkelje të shumta në dhënien e tenderëve.

Sipas këtij raporti një kontratë e dyshimtë është dhënë për mirëmbajtjen dhe servisimin e automjeteve zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve (ASHAK).

Të gjeturat kanë treguar se Operatori ekonomik i kontraktuar për këtë kontratë në vlerë prej 6 mijë e 664 euro, nuk kishte plotësuar disa kritere.

Në njoftimin për kontratë ishte vendosur edhe kërkesa për përshtatshmëri teknike, ku kërkohej sjellja e dëshmive për ta vërtetuar se serivisi është i autorizuar për llojin përkatës të automjeteve, shkruan lajmi.net.

Nga Autoriteti Kontraktues është gjetur se kompania fituese nuk kishte sjellur dëshmi për një gjë të tillë.

“Tek aktiviteti i prokurimit “ Mirëmbajtja dhe servisimi i automjeteve zyrtare të ASHAK-ut”, në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë të datës 17.06.2016 ishin vendosur kërkesat për përshtatshmëri teknike dhe profesionale, ku një nga kërkesat ishte sjellja e dëshmive për të vërtetuar se servisi është i autorizuar për llojin përkatës të automjeteve. Megjithatë, AK me datën 25.07.2016 kishte lidhur kontratë publike kornizë në vlerë 6,664€ me një OE i cili nuk kishte sjellë dëshmi për të vërtetuar se është servis i autorizuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Në zyrën e Kryeministrit është vërejtur se pagesat për furnizim me bileta të aeroplanit nuk janë të dëshmuara ashtu siç kërkohet.

Nga nëntë pagesa për furnizim me bileta në vlerë prej 19 mijë e 947 euro auditori ka vërejtur se nuk ka dëshmi të mjaftueshme sa i përket çmimit të biletave në datën e rezervimit.

“Ne kemi testuar nëntë (9) pagesa për furnizim me bileta në vlerë prej 19,947€, në të cilat kemi vërejtur se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme sa i përket çmimit të biletave në datën e rezervimit. Në pesë (5) raste kopjet fizike të rezervimit të biletës nga sistemi AMADEUS nuk përmbanin ndonjë datë të caktuar. Ndërsa në katër (4) raste datat në kopjen fizike të rezervimit nuk përputheshin me datën e rezervimit të cekur në faturë. Kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve jo të mira nga ZKM”, bëhet e ditur nga ky raport.

Shkelje tjera që janë gjetur nga auditori janë edhe vonesat në mbylljen e avanseve, kontrollet e dobëta në procesin e pranimit të pasurisë, ndarja e subvencioneve pa kritere të qarta etj.