ATU blen kompaninë e pestë më të madhe në vend të internetit fiks Digicom

E publikuar: 13/05/2019 23:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një tjetër transaksion i rëndësishëm në tregun e telekomunikacioneve është drejt zyrtarizimit. Digicom, kompania e pestë më e madhe në ofrimin e shërbimit të internetit me linja fikse për numër klientësh, ka arritur një marrëveshje për shitjen e 85% të aksioneve te Albanian Telecommunications Union (ATU).

Marrëveshja është arritur që në fund të vitit të kaluar, ndërsa është njoftuar zyrtarisht në fillim të kësaj jave edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që ka ftuar palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre.

ATU është kompania që në vitin 2010 ndërtoi rrjetin kombëtar të fibrës optike, një investim me vlerë rreth 40 milionë euro. Dhënia e lejes për të ndërtuar rrjetin e fibrës në infrastrukturën rrugore kombëtare shkaktoi një përplasje brenda qeverisë Berisha, mes ministrit të infrastrukturës Sokol Olldashi dhe atij të Inovacionit, Genc Pollo.

Madje, ministri Pollo e hodhi në gjyq Agjencinë e Prokurimit Publik, që refuzoi të anulonte kontratën e dhënë nga Ministria e Transporteve. Përmes blerjes së Digicom, ATU synon tashmë të hyjë në tregun me pakicë të shërbimeve të internetit. ATU është një kompani me kapital 100% shqiptar, me aksionarë disa individë pranë grupit Gener 2.

Digicom është një kompani e krijuar në vitin 2014, që ofron shërbim 100% përmes teknologjisë së fibrës optike. Paketa prej 85% e aksioneve që do të blihet nga ATU është në pronësi të Info-Telecom, shoqëri që i përket biznesmenit shqiptar Marin Gjonaj. Për momentin, Gjonaj do të vazhdojë të jetë aksioner pakice në Digicom, me 15% të aksioneve.

Sipas të dhënave të AKEP, në fund të vitit 2018 Digicom kishte mbi 14 mijë pajtimtarë në shërbimin e internetit. Blerja e këtij operatori nga ATU pritet të rrisë konkurrencën në tregun e internetit me linja fikse. Në fillim të këtij viti, kompania ka zgjeruar infrastrukturën e saj të rrjetit edhe në zona periferike të Tiranës. /ScanTV