Atmosfera para ndeshjes Milan – Shkëndija (Foto)

E publikuar: 17/08/2017 18:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Milano pritet të arrijnë edhe 20 autobusë me tifozë nga Maqedonia, mirëpo mediat italiane bëjnë të ditur që klubin nga Tetova do ta përkrahin në San Siro edhe tifozë shqiptarë nga Zvicra dhe Gjermania.Pronari i klubit tetovar, Lazim Destani, nga Gjermania sot arriti në Milano dhe së bashku me pronarët kinezë të Milanit do ta ndjekë ndeshjen në San Siro.

Destani, si para nisjes për në Milano ashtu edhe tani, ka mjaft optimizëm dhe përkrahje për klubin dhe lojtarët e tij. Ai i motivoi lojtarët duke thënë se me dinjitet do t’i përfaqësojnë ngjyrat e klubit.

Edhe gazetarët që udhëtuan në Milano me klubin tetovar janë optimistë se Shkëndija posedon kualitetin dhe zgjuarsinë e nevojshme që nga sfida e parë me Milanin të korrë rezultat pozitiv.

E pikërisht kur akrepat e orës të shënojnë 20:45, brohoritjeve “Shkëndija, Shkëndija” të rreth 2000 “Ballistëve” nga stadiumi i San Siros, do t’u bashkëngjiten edhe mijëra shqiptarë të cilët nëpërmjet ekranit me emocion do të presin më të mirën nga lojtarët e ekipit tetovar.

Tifozë sonte janë edhe emra të njohur shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Disa presin fitore e disa barazim.

“Një barazim i Shkëndisë në Milano do të na bënte të lumtur pa masë… Shqiptarët e Maqedonisë e meritojnë të kenë disa raste të lumtura pas një periudhe të zymtë. Shkëndija historikisht ka qenë një dritë shprese edhe në kohët e vështira të errësirës komuniste dhe besoj që djemtë kuqezi do japin maksimumin në Itali” – tha artisti strugan, Agim Poshka.

“Si e thonë një fjalë në Shkodër, ‘Nganjëherë e mbush shejtani’, kështu që edhe mund të marrë rezultat pozitiv, por është shumë e vështirë se po luajnë me një nga klubet më të suksesshme në futboll”- tha këngëtari shkodran, Bujar Qamili.

“Sigurisht se presim rezultat sa më pozitiv. Zemra jonë është atje ku është Shkëndija. Unë ju uroj një ndeshje të mbarë dhe të na nderojnë siç kanë bërë gjithmonë”- tha këngëtari tetovar, Mahmut Ferati.

“Shkëndija – zemra e Shqiptarisë…uroj që Shkëndija do e ndezë atë xixë shkëndije sonte me fitore!! Unë, si të gjithë pres FITORE…uroj djemve shëndet e lojë të bukur sonte! Na bëni krenarë edhe sonte SHKËNDIJA #ForcaShkëndija#B92”- shprehet me entuziazëm për Almakos, këngëtarja pejane,Violeta Kajtazi.

“Me thënë të drejtën, unë nuk jam adhurues i ndeshjeve të futbollit, por jam i vetëdijshëm çfarë domethënie ka për tifozët e Shkëndisë dhe jo vetëm vetë fakti që luhet një ndeshje e këtij kalibri. Sigurisht që duke qenë i vetëdijshëm edhe për vlerat e sportit nuk jam krejtësisht indiferent ndaj kësaj ndeshjeje! Në kohën e shpresave të vyshkura e të errësuara, një SHKËNDIJË drite vlen shumë”- thotë regjisori nga Gostivari, Sulejman Rushiti.

“Me rëndësi është të luajnë mirë, kjo është kryesorja”- tha aktori Visar Vishka.

Siç raporton nga Milano gazetari Blerim Ismaili, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes, nga ekipi tetovar u pa maturi duke treguar respekt për Milanin, mirëpo sulmuesi i Shkëndijës, Ferhan Hasani, shkoi një hap më tej duke nxehur atmosferën dhe më shumë. Ai tha se me bashkëlojtarët e tij nuk kanë ardhur në San Siro për të zhvilluar ndeshje miqësore me Milanin, por që në Maqedoni të kthehen me rezultat pozitiv.

Atmosfera para supersfidës historike kundër Milanit është shumë pozitive edhe pse ethet e ndeshjes i kanë kapluar të gjithë, jo për shkak të pasigurisë, por për shkak të padurimit.