ATK presion bizneseve, kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës

E publikuar: 19/06/2020 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi për bizneset në Kosovë, ishte goditje e rënd por sot u është shtuar edhe presioni e dënimet që po jep Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për afaristët kosovarë. Madje këto ndëshkime ATK-ja po i jep kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës, e cila ditë më parë vendosi që kompanitë kosovare të kenë afat deri më 30 qershor që të bëjnë pagesat e tatimeve.

Vendimet e Qeverisë që bizneset të kenë kohë deri në fund të qershorit për të paguar obligimet e tyre nuk po i merr parasysh edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Ky institucion po ndëshkon pa të drejtë bizneset, në mesin e tyre edhe prodhuesit që japin paga për qindra punëtorë.

Në mesin e atyre kompanive që janë ndëshkuar është edhe kompania “Meka Halal Food”, e cila është shembull për pagesat ndaj shtetit, si dhe e njohur për trajtimin që u bënë punëtorëve të saj, duke u dhënë brenda vitit nga 13 dhe 14 rroga dhe sigurimin shëndetësor.

Në vend të përkrahjes – ndëshkim

ATK sot ia ka dërguar një njoftim Kompanisë “MEKA” e ku shkruhet për vonesa të pagesës së TVSH-së për muajin prill dhe maj.

Njëri nga pronarët e kësaj kompanie, Pirro Piraj bëri të ditur se ATK po kërkon që të paguajnë  720 euro e 34 cent për interes dhe ka ndëshkuar kompaninë me 1 mijë e 108 euro e 22 cent.

“Publikisht, pagesat e tatimeve të këtyre muajve të Pandemisë kompanitë mund ti bëjnë deri me 30 Qershor, ndërsa ne sot pranojmë njoftim nga ATK që për shkak të vonesës së pagesës së TVSH-së për Muajin Prill dhe Maj ( për muajin Maj ende nuk ka kaluar koha për pagesë) obligohemi të paguajmë interes në vlerë 720,34 dhe ndëshkim 1108,22 euro!”, tregon Piraj.

Afaristi ka shtuar se me dëshirë do t’i kishin bërë pagesat me kohë, mirëpo pengesat janë krijuar shkak i pandemisë.

“Me shumë dëshirë do ta kishim paguar me kohë, mirëpo pengesat që i ka shkaktuar Pandemia janë evidente edhe tek ne, ndërsa sot shteti jonë na “ndihmon” ta përballojmë më “lehtë” këtë situatë me ndëshkime të këtij lloji!”, shkruan Piraj.

Ndryshe nga shumë kompani e biznese tjera, kompania vendore e përpunimit të produkteve  të mishit “Meka”, nuk figuron në listën e bizneseve që kanë aplikuar për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale, e ndarë nga Qeveria në detyrë, për të mbështetur bizneset e dëmtuara nga pandemia COVID-19.

Pronari i kësaj kompanie, Burim Piraj, kishte deklaruar se dhjetëra punëtorët e tij, mund të ishin përfitues të kësaj pakoje.

Por, ai kishte thënë se meqë ka mundur ta menaxhoj situatën në kompaninë e tij edhe gjatë kësaj periudhe të rëndë, ka hequr dorë nga aplikimi për mbështetje financiare, sepse nuk ka dashur ta rëndojë buxhetin e shtetit.

Por pavarësisht se kishte vendosur t’i mbuloj vet pagat e punëtorëve, pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj pati treguar se ka pasur humbje të mëdha gjatë kohës së pandemisë dhe pret vështirësi edhe në të ardhmen.

Efektet e pandemisë

Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonominë e Kosovës janë të zymta.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë, nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.

Për të zbutur dëmet ekonomike që janë shkaktuar gjatë kohës së pandemisë, Qeveria është në proces të hartimit të pakos për rimëkëmbjen ekonomike. Por, ATK kundër kësaj nisme në vend të ndihmës e respektimit të vendimeve po i dënon bizneset./FaktePlus