ATK, edhe me një shërbim të ri elektronik

E publikuar: 28/09/2017 08:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se nga data 28 shtator 2017, përmes sistemit elektronik EDI, mundësohet regjistrimi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, gjegjësisht gjenerimi i numrit të TVSH-së, raporton infosot.

Tatimpaguesit, që obligohen apo vullnetarisht zgjedhin të regjistrohen për TVSH, kërkesën për regjistrim, do ta parashtrojnë përmes Sistemit Elektronik EDI.

Pasi të parashtrohet kërkesa nga ana e tatimpaguesit, sistemi do të bëjë verifikimin e të dhënave të tatimpaguesit. Vetëm për tatimpaguesin që plotëson të gjitha kriteret për Regjistrim në TVSH, regjistrimi do të bëhet në mënyrë elektronike.

Në momentin e regjistrimit të tatimpaguesit për TVSH, tatimpaguesi pranon mesazhin, me të cilin njoftohet se regjistrimi ka përfunduar me sukses dhe njëherësh pranon edhe numrin e gjeneruar të TVSH-së.
Po ashtu, në mënyrë elektronike, tatimpaguesi njoftohet se Certifikatën e TVSH-së duhet ta tërheq në zyrën përkatëse të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve.