Athina, në “luftë” pas deklaratës së Erdoganit. “Greqia na mori ishujt”

E publikuar: 30/09/2016 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri grek Alexis Tsipras, pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit qeveritar për Mbrojtjen dhe Politikën e Jashtme, duke iu përgjigjur presidentit turk Erdogan, ka deklaruar se dyshimi që Ankaraja ka hedhur së fundmi mbi Traktatin e Lozanës, i cili vendosi përfundimisht dhe në mënyrë të qartë marrëdhëniet greko-turke dhe statusin e detit Egje, është i rrezikshëm si për të dy popujt, ashtu edhe për të gjithë rajonin.

Duke folur një ditë pasi Këshilli kombëtar i Sigurisë së Turqisë ka rekomanduar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar në thelb rishikimin e Traktatit të Lozanës të vitit 1923, duke e kritikuar atë si një marrëveshje që ka përcaktuar në dëm të Turqisë kufijtë e sotëm, e duke thënë se ishujt e Egjeut iu dhanë atëherë padrejtësisht Greqisë.

Menjëherë ka reaguar diplomacia greke, që ka dënuar këtë deklaratë, Ministria greke e Mbrojtjes, të gjitha partitë politike, e po ashtu edhe mediat.

Edhe Komisioni Europian është pyetur nga një eurodeputet i konservatorëve grekë se, çfarë qëndrimi ka për deklarata të tilla sfiduese ndaj traktateve ndërkombëtare. Po ashtu, edhe Berlini zyrtar, nëpërmjet zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme që është pyetur për këtë pozicionim të Erdoganit, ka theksuar në një deklaratë sqaruese se, nga këndvështrimi i Gjermanisë marrëveshja e Lozanës vazhdon të jetë në fuqi.

Traktati i Lozanës, i nënshkruar më 24 korrik të vitit 1923 nga Greqia, Turqia dhe vende të tjera që luftuan në Luftën e Parë Botërore, ishte një traktat paqeje që i ka dhënë fund luftës greko-turke dhe vendosi kufijtë e Turqisë moderne. Me një marrëveshje të veçantë midis Greqisë dhe Turqisë u vendos shkëmbimi i detyrueshëm i popullsisë midis dy vendeve dhe demilitarizimi i disa ishujve të Egjeut.

Shkëmbimi i pakicave shkaktoi lëvizje të mëdha të popullsisë, pasi nga Azia e Vogël (Anatoli apo Anadolu sipas grekut e turkut) u shpërngulën për në Trakën Lindore në Greqi rreth 1 milion e 650 mijë shtetas turq të krishterë, e nga Greqia për në Turqi rreth 670 mijë qytetarë grekë myslimanë, një pjesë e të cilëve ka qenë popullsi shqiptare.

/ Top Channel