Asociacioni i Komunave të Kosovës: Të lejohet mbajtja e mbledhjeve të kuvendeve komunale

E publikuar: 02/05/2020 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Komunave të Kosovës po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të lejohet ri-fillon normaliteti për mbajtjen e mbledhjeve nëpër kuvendet komunale, pasi që ka shumë projekte dhe kërkesa të qytetarëve që presin të shqyrtohen dhe miratohen.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë se Pako Emergjente Fiskale sa i përket komunave me një shumë prej 10 milionë euro, është bërë tek komunat, si dhe një komponentë tjetër e cila është pjesë e Pakos, ajo me numër 15, sa i përket pagesës personave me nga 130 euro, të cilët nuk e kanë të punësuar ndonjë anëtarë në familje, është duke u zbatuar nga niveli lokal për evidentimin e të dhënave për këta qytetarë.

“Kjo kompetencë është e deleguar nga niveli qendror. Komunat po bëjnë një punë jashtëzakonisht të mirë sa i përket mbledhjes së shënimeve. Informimit të popullatës dhe evidentimit të gjithë personave të cilët do të jenë përfitues nga kjo pako në vlerë prej 130 euro. Të gjitha ato shënime i barten nivelit qendror dhe pastaj do t’i ekzekutoj këtë lloj përkrahje financiare”, thekson Ibrahimi për KosovaPress.

Ndërsa, sa i përket punës së kuvendeve komunale, Ibrahimi shprehet se janë ngritur mjaft shqetësime nga qytetarët e komunave për çështje të ndryshme, si dhe për implementimin e projekteve në infrastrukturë.

Sipas tij, nëse nuk normalizohet puna e asamblistëve, shumë kërkesa nuk do të arrihet të miratohen dhe të zbatohen.

“Po ashtu janë ngritur shumë shqetësimi për çështje të tjera sa I përket implementimit të projekteve në infrastrukturën lokale, pasi që sipas tij komuna është dera e parë e qytetarëve dhe kërkesat e tyre janë të mëdha. Gjithashtu është kërkuar që të fillon puna normale e kuvendeve komunale, sepse po ka kërkesa të ndryshme nga qytetarët e komunave. Dhe nëse nuk lejohen punimet normale të kuvendeve komunale, shumë kërkesa nuk do të zbatohen”, deklaron ai.

Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës po ashtu ka thënë se komunat janë duke menaxhuar mirë situatën e pandemisë me gjithë kapacitetet që kanë ato, edhe pse herë pas herë kanë hasur në vështirësi.