Asociacioni, aktor apo faktor politik?

E publikuar: 27/08/2015 21:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Burim Ramadani

Asociacioni paraqet një mekanizëm shtesë politik për serbët në Kosovë. Nëse ky aktor do të bëhet faktor politik, kjo do të ndryshonte shumë. Problemi mbetet politik. Mund të përdoret fort për të keq apo mund të lehtësojë integrimin e serbëve kosovarë në shtetin e Kosovës! Është në teh!
Asociacioni është një mekanizëm shtesë politik në Kosovë. Mund të përdoret fort për të keq brenda Kosovës apo edhe mund të lehtësojë integrimin e serbëve kosovarë në shtetin e Kosovës!

Fuqia e Asociacionit dhe “të asociuarve” nuk është aq në shpatullat e tyre.

Problemi mbetet politik. Edhe mundësia për zgjidhje të problemeve është veç politike.

Dhe, problemi politik, bashkë me mundësinë politike, është marrëdhënia midis Serbisë dhe shtetit të Kosovës.

Pyetja themelore është:

Kur do të arrihet Marrëveshja e Përgjithshme të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë? Apo, pse s’po bëhet kjo?

Përmbajtja e një Marrëveshjeje të Përgjithshme Paqeje mes dy shteteve do të përcaktojë se çka do të thotë në realitet Asociacioni, çka do të thotë në realitet marrëveshja për integrimin e pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës, çka do të thotë në realitet marrëveshja për integrimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, çka do të thotë në realitet marrëveshja për atë e për këtë!

Ja dy skenare për të paramenduar funksionin e Asociacionit, në ndonjërin prej të cilëve do të zhvillohej e ardhmja e një dekade politike më tutje.

SKENARI POZITIV:

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë Marrëveshjen e Përgjithshme të Paqes në vitin 2016. Dy vendet do të pranonin subjektivitetin e njëra-tjetrës. Do të bashkëpunonin në rrugën evropiane dhe anëtarësimin në NATO.

Marrëveshjet e deritashme do të inkuadroheshin në Marrëveshjen e Përgjithshme të Paqes. Serbët e Kosovës do të shihnin Prishtinën zyrtare si adresën e tyre shtetërore, e cila mezemërgjerësi i ka lejuar Beogradit t’i ndihmojë serbët kosovarë. Secila ndihmë kalon përmes institucioneve të Kosovës, pra përmes Qeverisë, Bankës Qendrore, Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në disa raste dhe direkt komunave me shumicë serbe në raste tjera.

Policët e MUP-it të inkuadruar në Policinë e Kosovës respektojnë plotësisht zinxhirin komandues, Kodin Etik, rregullat dhe udhëzimet e brendshme, ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. E njëjta gjë edhe me Gjykatësit dhe Prokurorët. Këta do të punojnë bashkë fuqishëm kundër krimit dhe korrupsionit.

Asociacioni do të ishte krejtësisht i pavërejtshëm në krahasim me institucionet qendrore kosovare. Serbët kosovarë do të fuqizonin lojalitetin në nivel qendror dhe kështu do të zbehnin fuqinë politike e Asociacionit.

Integrimi i serbëve kosovarë merr disa vjet, por shteti i Kosovës funksionon.

SKENARI NEGATIV:

Kosova dhe Serbia nuk do të vazhdonin më tutje përpjekjet për normalizim raportesh. Qoftë për fajin e njërës apo tjetrës palë. S’është fare më rendësi!

Marrëveshjet e deritashme janë edhe më tutje në fuqi. Serbia ka zbatuar më pak prej tyre, Kosova ka avancuar në zbatim.

Serbët e Kosovës tërhiqen, për këtë apo atë arsye, nga institucionet qendrore. Bojkotojnë Qeverinë dhe Parlamentin.

Në nivel lokal, kanë udhëheqjen dhe menaxhimin e komunave. Në nivel Kosove, kanë këtë mekanizmin e ri politik: Asociacionin.

Pra, në këtë skenar negativ, serbët kosovarë largohen nga “institucionet e shqiptarëve” dhe kanë Asociacionin dhe komunat.

Çka do të bënin këtu Policët e MUP-it të integruar në PK? Çka do të bënin Prokurorët? Çka do të bënin Gjykatësit?

Të gjithë këta do t’i bashkoheshin vetëm lidershipit politik serb në Kosovë. Në atë situatë, policët, prokurorët dhe gjykatësit nuk do të mund të lidheshin me komunat, por me Asociacionin. Kështu, do ta kthenin Asociacionin në një faktor politik të fuqishëm dhe vendimmarrës në Kosovë.

Normalisht, më shumë skenarë mund dhe duhet të analizohen. Porse, Asociacioni e ka një dilemë:

A do të kthehet në përfaqësim politik të serbëve kosovarë, duke u bërë kështu nga aktori politik në faktor politik? Apo, serbët kosovarë do të përfaqësohen në institucione qendrore?

Apo, a do të jetë ky Asociacion vetëm për serbët e Kosovës apo edhe për Serbinë?

Një çështje e tillë do të zhvillohet ndër vite.