Asnjë taksë në të ardhura për ata që e kanë rrogën nën 300 euro – A do e mbajë Kurti premtimin?

E publikuar: 09/02/2020 23:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar shumë ndryshime gjatë fushatës zgjedhore të fundit para zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ndonëse për momentin më së shumti flitet për zotimet e tij për reciprocitet dhe shërbim ushtarak të detyrueshëm, Kurti ka dhënë edhe premtime tjera të rëndësishme.

Vlen të ceket se pas zgjedhjeve ndodhën zhvillime të reja, dhe VV përshtati programin e saj me atë të LDK’së, përsëri për disa premtime Kurti ka thënë se nuk do të ndërrojë qasje.

Njëri prej këtyre premtimeve kishte qenë se asnjë punëtorë, i cili rrogën e tij mujore i ka nën 300 euro, nuk do të ketë nevojë të paguajë taksë në të ardhura.

“Në një ekonomi ku 18% e popullatës jeton në varfëri të skajshme, askush nuk duhet që të paguajë taksë në të ardhura për mbijetesë, andaj unë do të përjashtojë nga taksa personale mbi të ardhura ata që kanë rrogë përfundi 300 euro në muaj”, kishte thënë Kurti.

Kurti e kishte bërë këtë premtim gjatë shpalosjes së programit të VV’së.

“Ky program do të transformojë Kosovën duke ulur shpenzimet e tepërta qeveritare, lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe do të prezantojë një epokë të re në sundimin e ligjit, barazisë dhe drejtësisë”, kishte thënë ai.

Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat e individëve. Individët rezidentë i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë një periudhe tatimore, për të gjitha burimet e të ardhurave.

Nëse jetësohet ky premtim do të përfitonin shumë persona. Paga minimale në Kosovë ka qenë 170 euro deri në maj të vitit të kaluar, kur me propozimin e PSD’së është miratuar rezoluta për rritjen e saj në 250 euro./Express/