Asnjë detaj s’jepet për ikjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

E publikuar: 30/09/2015 19:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sami Lushtaku ka treguar disa herë se ka fuqinë për të sfiduar sistemin e drejtësisë në vend.

Këtë e ka bërë së paku 2 herë në vitin e fundit, duke mos respektuar vendimet e gjykatës e as oficerët e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Por, Ministria e Drejtësisë duket se nuk ka marrë masa për këto lëshime të Shërbimit Korrektues.

Për tri ditë, KohaVisioni ka pritur një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për rezultatin e një hetimi të brendshëm që e kishte nisur në 2014-ën, kur kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, bashkë me dy të akuzuar të tjerë, Sahit Jashari e Ismet Haxha, ishin zhdukur nga QKUK-ja.

Ministria e udhëhequr nga Hajredin Kuçi nuk ka qenë në gjendje të kthejë një përgjigje për këtë. Prokuroria atëkohë kishte nisur hetim për Lushtakun dhe të tjerët, për veprën penale ‘shkelje e urdhrit të Gjykatës’. Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dashur të flas për këtë çështje me arsyetimin se nuk komenton hetime që janë vazhdim e sipër.

KTV-ja ka mësuar se hetimet po i udhëheq një prokuror special i EULEX-it. Kryetari i Skenderajt është duke qëndruar që nga java e kaluar në Burgun e Sigurisë së lartë, ku u transferua me vendim të Gjykatës, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme.

Tre oficerët përgjegjës janë suspenduar javën e kaluar, kur Lushtaku ishte zhdukur nga hapësirat e QKUK-së dhe Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar se kanë nisur edhe hetime për rastin e dytë të tillë mes Lushtakut dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.