Arsyet zyrtare të suspendimit të zyrtares së MASHT-it që u kap duke vjedhur në Belgjikë (Dokument)

E publikuar: 04/07/2018 16:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Igballe Cakaj, një zyrtare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u suspendua ditë më parë nga detyra e saj nën dyshimet se u zu duke vjedhur në një dyqan në Bruksel.
Më datën 29 qershor, Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, mori vendim të menjëhershëm për pezullimin e Udhëheqëses së Divizionit për Zhvillim Profesional të Mësimdhënësve pasi e njëjta dyshohet se vodhi në një dyqan gjatë vizitës zyrtare në Bruksel.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e pezullimit për këtë zyrtare ku thuhet se pezullimi u bë në bazë të raportit të policisë belge.

“Në bazë të raportit të policisë belge dhe zyrtarit ndërlidhës policor në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel për dyshime për vjedhje, i shqiptohet masa diciplinore pezullim nga detyra, deri në një vendim tjetër të nxjerrë nga Komisioni Diciplinor.

Në këtë vendim thuhet se palët kanë kohë ankese deri në 30 pas daljes së këtij vendimi. KALLXO.com ende nuk ka mundur të marrë komente nga zyrtarja në fjalë lidhur me këtë çështje.