Arsyet që na bëjnë të kujtojmë shpesh herë dashurinë e parë

E publikuar: 08/02/2016 10:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrëdhëniet e dashurisë kohët e fundit janë bërë pak a shumë çështje tregu, njerëzit tani shumë rrallë nisen në një lidhje nga dashuria që mund të ndiejnë për një person, më shumë është stimul dashuria që kanë për paratë e atij personi. Kjo lloj shoqërie na shtyn të mendojmë për një periudhë të jetës sonë, në të cilën shoqëria ishte më naive dhe ndjenjat e dashurisë ishin më të vërteta. Pra na bën që t’i rikthehemi dashurisë së parë. Kështu që në një shoqëri ku erosi është bërë një mall konsumi, shitjeje dhe blerjeje, na duket shumë e arsyeshme që të kthehemi në atë periudhë kur ne ishim më të lumtur, si një tentativë e dëshpëruar për t’i ikur realitetit banal që na rrethon. Ky rikthim në të kaluarën nuk vjen si një rrjedhojë e një historie të mrekullueshme të jetuar, por si rrjedhojë e një të tashmeje shumë zhgënjyese. Ky kalim nga realiteti në një ëndërr mund të jetë shumë tronditës, megjithatë në jetë duhet rrezikuar dhe duhet të mendoni se nesër në një vend apo në një rrugë në të cilën kaloni do të gjeni dashurinë e jetës suaj.

Kujtimet e dashurisë

Mjafton shumë pak për të kujtuar magjinë e dashurisë së parë: një aromë parfumi që të kujton atë, një peizazh ku ti ke kaluar çaste të bukura, një fotografi e vjetër, etj. Dhe të gjitha këto është vështirë për t’i harruar. Për ta rigjetur këtë dashuri, shumë njerëz do të ishin në gjendje të bënin çmendurira. Kjo është një sindromë e vërtetë që mund të godasë çdo lloj moshe. Studimet e bëra dëshmojnë një nevojë gjithmonë në rritje të gjuetisë në të kaluarën e shumë njerëzve, gjueti kjo që bëhet me një qëllim të vetëm, të rigjejnë copëza nga ajo dashuri e parë dhe e paharrueshme, mbase për t’u ridashuruar, mbase për ta ndjerë veten sërish të ri. Një nga arsyet që të shtyn për të takuar atë është kurioziteti i thjeshtë për të kuptuar se si ka përfunduar personi që jua ka bërë zemrën t’ju rrahë për herë të parë, sido që të ketë qenë, ta kishit kaluar jetën të dy bashkë, apo edhe thjesht për t’u larguar nga një e tashme zhgënjyese. Është pikërisht largimi nga një e tashme zhgënjyese dhe pa emocion, që i shtyn njerëzit që të kërkojnë në të shkuarën emocione dhe lumturi.

Dashuria e parë

Dashuria e parë është e mbushur me shumë ideale është shumë më intensive se lidhjet që vijnë më pas, sepse këto të fundit kalojnë në një rrugë tashme të njohur dhe të eksploruar. Sa më shumë të jetohet, aq më shumë eksperienca kalohen dhe aq më shumë humbet fantazia për t’i lënë vendin reales. Të vihesh në kërkim të dashurisë së parë është kështu një mundësi për të rijetuar një të shkuar, që tashmë nuk është gjë tjetër vetëm një pjesë e fantazisë suaj dhe ëndrrave tuaja të pafundme. Kjo gjë bën që të mos jetoni asnjëherë realitetin, por ta rikrijoni dhe idealizoni në atë mënyrë sa t’ju duket se po jetoni në një përrallë. Dëshirat për të shkuarën mund të jenë pasoja thjesht të zhgënjimeve dhe të stresit që njerëzit kalojnë në jetën e tyre dhe për të shpëtuar nga të gjitha mundohen që të gjejnë pak qetësi në historinë e tyre më të bukur të dashurisë. Këto emocione bëjnë të mundur që tek ne të ndizen ndjenja mbrojtëse psikologjike. Në një moment stresi imagjinojmë se njëherë dhe një kohë në jetën tonë ekzistonte një njeri që na kuptonte dhe ai vazhdon të jetë aty perfekt si gjithmonë.

Imagjinata erotike

Stimuli emocional është i motivuar dhe i udhëhequr nga nevoja për kënaqësi dhe dashuri. Ai ushqehet nga fantazia dhe imagjinata erotike. Në këtë përmasë intime dhe emocionale futet si raporti që personi ka me veten, ashtu edhe marrëdhënia që ndërton me të tjerët. Vetëvlerësimi, besimi në vete dhe në aftësitë personale, të pëlqyerit dhe një imazh i mirë trupor janë mbështetës të mrekullueshëm të dëshirës. Por edhe cilësitë e marrëdhënieve që vendosen jashtë “zonës” seksuale janë shumë përcaktuese, pra mënyra e të jetuarit të lidhjes emocionale të dashurisë, aftësia për t’i besuar tjetrit, përkundja në intimitet, harrimi në ndjenja dhe pasion e të tjera si këto. Në dukje ngjajnë me diçka krejt të ndryshme nga dëshira, por ajo nuk është vetëm produkt trupor dhe është shumë lehtë e modifikueshme prej të gjitha ndjesive. Janë të rëndësishme edhe arsyet që, edhe pse jo seksuale, shtyjnë në sjellje seksuale, si: ankth, trishtim, ndjenjë vetmie, afeksion, nevojë për intimitet emocional.

 

Dëshira dhe kënaqësia

Zbulimet e reja mbi mekanizmat neurofiziologjike, të cilat diktojnë shumë sjellje njerëzore, të shtyjnë te ky drejtim i vetëm: eksplorimi i mendjes duhet të ecë me hapa të barabartë me eksplorimin e reaksioneve neuro-kimike të lidhura me kënaqësinë, që angazhojnë gjithë organizmin. Ajo që vë në lëvizje një seri procesesh neuro-kimike zinxhir lind nga një nevojë parësore e species: riprodhimi. Atë e ndiejnë të dyja sekset, si femrat dhe meshkujt. Kjo ndjesi është e udhëhequr nga hormonet mashkullore, mbi të gjitha nga testosteroni, aleat i madh i eksitimit. Te femrat, hormonet estrogjene kanë një rol të madh në mirëqenien psikofizike të tyre dhe kanë një rol paraprak për një epsh të shëndetshëm, ndërkohë që prolaktina, hormoni që nxit prodhimin e qumështit, ushtron një efekt frenues. Por ka hormone të tjera që, dhe pse më pak të njohur, ndikojnë mjaft në atë mister të quajtur dëshirë, e cila përforcon lidhjet emocionale.

Ndryshimi në imtimitet

Ndjesia se magjia është venitur shkaktohet nga ulja e nivelit të adrenalinës. Herët a vonë bëhet e qartë se si do të jetë rrjedha e dashurisë suaj, po ashtu edhe kurioziteti se çfarë mund t’i dhuroni njëri-tjetrit në shtrat. Është e rëndësishme që të dy partnerët t’i japin mundësi njëri-tjetrit të zbulojë prekje, teknika dhe preferenca të tjera, të ndryshme nga ato që janë dhënë në fillimet e njohjes, duke nisur më puthjen e parë. Kjo do të thotë se me kalimin e viteve ju faturoheni seksualisht. Ndryshimi mes intimitetit romantik të “papjekur” dhe atij të “maturuar” qëndron në faktin se të rriturit mësojnë të kontrollojnë impulset e tyre. Eksitimi seksual nuk është një justifikim për forcuar dikë të bëjë gjëra që e bëjnë të dihet në siklet. Kur partneri thotë “jo” për diçka, pranojeni këtë jo dhe filloni të “hidhini vështrimin” tek diçka tjetër.