Arsenali pëson në Bjellorusi nga Bate Borisov, kualifikimi vendoset një javë më vonë në Londër

E publikuar: 15/02/2019 05:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arsenali ka pësuar humbje befasuese në udhëtim te Bate Borisov me rezultat minimal 1-0.

Alexander Lacazette pati rastin e parë për të shënuar gol, por në minutën e dytë dështoi përballë portierit vendas Scherbitsky.

Vendasit rrezikuan me Nemanja Milic në minutën e 29-të, por goditja e tij nuk ishte e saktë.

Mbrojtësi boshnjak Sead Kolasinac provoi disa minuta para fundit të pjesës së parë, por nuk ia arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Arsenali dominoi në pjesën e parë ndërsa në fundin e saj golin e gjetën vendasit.

Stasevich harkoi bukur në zonë nga goditja e dënimit ndërsa me kokë shënoi Dragun për 1-0.

Me epërsinë minimale të vendasve 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Topçinjtë filluan furishëm pjesën e dytë duke kërkuar golin e barazimit.

Në minutën e 56-të Arsenali barazoi rezultatin me anë të Alexandre Lacazette, por goli i francezit u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Arsenali në çdo moment kërkonte golin e barazimit përballë Bates, por një gjë të tillë nuk ia doli ta realizoj.

Në minutën e 85-të, sulmuesi francez Alexandre Lacazette u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi kundërshtarin.

Kësisoj Bate ka bërë befasinë më të madhe duke mposhtur Arsenalin super favorit në këtë takim.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet një javë më vonë në Londër, ku Arsenal do të ketë një detyrë të vështirë për ta përmbysur rezultatin dhe të kalojnë tutje. /Telegrafi/