Arsenali me lehtësi kalon në çerekfinale, shënon edhe Granit Xhaka

E publikuar: 15/03/2018 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arsenali ka triumfuar edhe në ndeshjen e dytë ndaj Milanit 3-1 duke siguruar kalimin në çerekfinale të Ligës së Evropës.

Ndeshja nisi mirë me Milanin që nga minuta e parë kërkonte golin pasi ishte në disavantazh prej dy golave nga ndeshja e parë.

Andre Silva dhe Cutronte tentuan por pa sukses në minutat e para.

Arsenali u përgjigj me Dany Welbeck që rrezikoi në minutën e 25-të por pa sukses.

E goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 35 kur mesfushori turk Hakan Calhanoglu shënoi një supergol nga distanca.

Por epërsia e mysafirëve nuk zgjati më shumë se katër minuta pasi Rodriguez shkaktoi penallti.

Foto: Getty Images

Nga pika e bardhë i saktë ishte sulmuesi anglez Dany Welbeck për 1-1.

Arsenali ka mundur të shkoj në pushim me epërsi por Jack Wilshere nuk u tregua i saktë përballë Donnarumas.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para në këtë sfidë.

Milani nuk u dorëzua dhe tentonte edhe në pjesën e dytë për tu rikthyer në lojë.

Patrick Cutrone pati rast të mirë shënimi në minutën e 60 por dështoi përballë Ospinas.

Arsenali kaloi për herë të parë në epërsi në minutën e 71, falë një goli fantastik nga Granit Xhaka.

Ylli nga Kosova tentoi me një goditje të fuqishme dhe Donnaruma nuk arriti ta ndalte për të futur në rrjetë për 2-1.

Foto: Getty Images

E në minutën e 86, Arsenali arriti të shënoj edhe golin e tretë në këtë sfidë.

Ishte përsëri Dany Welbeck që shënoi golin e dytë personal në këtë takim.

Kësisoj Arsenali kualifikohet për në çerekfinalen e Ligës së Evropës me rezultat të përgjithshëm 5-1.

Shorti për çerekfinale do të hidhet nesër në Nyon të Zvicrës me fillim nga ora 13:00. /Telegrafi/