Arsenali i kthehet fitores, mposht në udhëtim Bournemouthin

E publikuar: 25/11/2018 16:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arsenali ka fituar me rezultat 2-1 ndeshjen ndaj Bournemouthit e vlefshme për javën e 13-të në Ligën Premier.

Skuadra e drejtuar nga Unai Emery i është kthyer fitores pas tri barazimeve radhazi, teksa ia ka shkaktuar humbjen e tretë me radhë Bournemouthit.

Pjesa e parë e ndeshje i takoi për një nuancë Arsenalit, por të dyja skuadrat arritën të tundin nga një herë rrjetën.

Festa pas golit të parë (Foto: Dan Mullan/Getty Images/Guliver)

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 30-të, ku Jefferson Lerma shënoi autogol për t’i dhënë epërsinë 0-1 Arsenalit.

Për golin e barazimit 1-1 u përkujdes Joshua King, i cili shënoi një gol të bukur në minutat shtesë të pjesës së parë.

Joshua King (Foto: Dan Mullan/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë ishin Topçinjtë që krijuan më shumë dhe arritën të shënojnë edhe golin e fitores.

Goli i vetëm në këtë pjesë dhe i fitores së Arsenalit erdhi në minutën e 67-të, ku Pierre-Emerick Aubameyang shënoi për 1-2 pas asistimit të Sead Kolasinac.

Aubameyang ia siguroi fitoren Arsenalit (Foto: Dan Mullan/Getty Images/Guliver)

Me këtë fitore, Arsenali tani ka 27 pikë në vendin e pestë apo vetëm një pikë më pak se Chelsea në vendin e katërt, ndërsa Bournemouth zë vendin e tetë me 20 pikë.

Në ndeshjen e radhës, londinezët e presin Tottenhamin, teksa Bournemouth udhëton te Manchester City. /Telegrafi/