Arrestohet pas 30 vjetësh për vrasjen e Haki Ukajt, dorasi më 2010 e kishte ndërruar identitetin

E publikuar: 25/05/2019 21:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe pse kanë kaluar 30 vjet, Haki Ukaj e mban mend se si vëllai i tij u ther 16 herë me thikë nga dy vëllezërit Zenelaj, njëri prej të cilëve ishte dënuar me 11 vjet burgim, derisa tjetri ishte në arrati deri këtë vit.

Kjo vrasje, sipas Ukajt, kishte ndodhur në një afërsi prej 150 metrash, ku ndodheshin gjykata dhe polica, raporton KTV.

Ndonëse qysh në vitin 1989, ndaj të dyshuarit kryesor ekzistonte një fletarrest, dyshohet se Besim Zenelaj kishte arritur të kthehej në Kosovë në vitin 2010 dhe pa ndonjë problem të pajisej me një certifikatë e cila dëshmonte se ai nuk ishte nën hetime.

Më pas, ai, në gjendjen civile kishte arritur ta ndërronte identitetin nga Besim Zenelaj në Hasan Zenelaj, duke ua vështirësuar kështu organeve të ndjekjes punën për ta gjetur.

Por, Ukaj tregon se si i dyshuari kryesor për vrasjen e vëllait të tij ishte parë dhe identifikuar në qytet.

Avokati i cili përfaqëson familjen Ukaj në këtë lëndë, thotë se i dyshuari Besim Zenelaj kishte arritur ta ndërronte identitetin e tij në gjendjen civile, pa ndonjë problem.

Por, prokurorja e rastit e cila po heton këtë vrasje, Sahide Gashi, ka një sqarim për gjithë këtë situatë.

Deri në vitin 2015, Besim Zenelaj, tashmë i njohur me emrin Hasan Zenelaj, ishte person i panjohur për organet e ndjekjes në Pejë.

Në janar të këtij viti, përmes një urdhër-arresti ndërkombëtar, Zenelaj ishte arrestuar nga autoritet në Zvicër, ndërsa ishte ekstraduar në Kosovë më 8 maj.

Atij i janë caktuar 30 ditë paraburgim, ndërsa Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se së shpejti, ndaj tij pritet të ngrihet aktakuza për vrasje të rëndë.