Arrestohet një tjetër i dyshuar për sulmin në Londër

E publikuar: 17/09/2017 16:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia britanike thotë se ka arrestuar një të dyshuar të dytë në lidhje me shpërthimin në një stacion të metrosë në Londër.

Policia tha në një deklaratë se arrestoi një 21-vjeçar në Hounslow në periferi në perëndim të Londrës, pranë aeroportit Heathrow, pak para mesnatës së të shtunës.

Më parë një i dyshuar tjetër, 18 vjeçar, u arrestua në zonën e portit të Doverit, një terminal i madh tragetesh që kryejnë udhëtime midis Britanisë dhe Francës.

Në një konferencë shtypi, nënkomisioneri i policisë, Neil Basu, tha se arrestimi i parë ishte i rëndësishëm. Pas arrestimit, policia evakuoi portin e Doverit dhe një lagje periferike të Londrës, ndërsa kontrolluan një shtëpi aty pranë.

Banorët e lagjes Sunbury thonë se shtëpia që u kontrollua banohej nga një çift i moshuar – Penelope dhe Ronald Jones – të cilët janë kujdesur për fëmijët jetimë për dekada të tëra. Mbretëresha Elizabeth i nderoi ata për këto përpjekje në vitin 2010.

Nënkomisioneri Basu tha se një numër sendesh u gjetën nga terminali i Dover, por pa dhënë hollësi. Ai tha gjithashtu se hetuesit ende nuk kanë përcaktuar nëse më shumë se një person ishin përfshirë në sulmin e së premtes.